MENU
klinika

Po testamenti i bamirësive?

Kush i shtypi dy abetaret e Veqilharxhit?

07.07.2020 - 06:23

Bamirësi i madh Vangjel Zhapa nga Labova e Madhe, i cili vdiq në vitin 1865, ishte njëkohësisht edhe një figurë pararendëse kombëtare, atëherë kur nuk ekzistonte lëvizja e organizuar shqiptare.

Ai përmbushi vegimin e madh dhe realizoi ëndrrën e ideologut të Rilindjes Shqiptare, Naum Bredhit-Veqilharxhit, duke bërë të mundur shtypjen e dy abetareve të para në gjuhën shqipe.
Në vazhdim, ai ndihmoi për shpërndarjen e librave shqip në atdhe, ekonomikisht dhe politikisht, duke siguruar lejet e posaçme perandorake (fermanet).
Duke qenë në kontakt dhe bashkëpunim me figurat e botës shqiptare atëherë, Vangjel Zhapa, tok me kushëriun e tij Kostandin Zhapa, hapi mbi 170 shkolla në jug të Shqipërisë, duke kallur gjuhën shqipe në mësimdhënie.

Ai ndërtoi rrugë dhe kisha në atdhe, dhe la një testament që garantonte vazhdimësinë e veprës së tij filantropike në Shqipëri.
Edhe pse kishin bërë emër e famë gjetkë, duke ndërtuar pallate dhe institucione të shumta në Greqi, Rumani dhe Turqi, Zhapajt dëshiruan të prehen në Atdhe.
Shtëpitë e Zhapajve u dogjën nga gjermanët në vitin 1944.

Qysh atëherë ato mbetën gërmadhë. Gjatë diktaturës komuniste një pjesë u përdor si depo, por nuk u vu dorë për rindërtim.
Në oborrin e kishës në qendër të fshatit, në një dhomë në thellësi rreth dy metra, u gjetën eshtrat e bamirësve. Sipas testamentit te tyre, koka është në Athinë, ndërsa trupi në Labovë.
Mbi varrin e tyre para kishës dikur kishte një përmendore të bukur, e rrethuar me pllaka mermeri të skalitura në relief. Në krye kishte kokën e gdhendur të Vangjel Zhapës. Kjo fatkeqësisht u thye nga një fshatar dritëshkurtër, gjatë periudhës së shkatërrimit të kishave, mbas ndalimit të fesë nga diktatura komuniste në vitin 1967.
Shtepitë e Zhapajve janë shpallur sot Monument Kulture, gjë që ndërlikon gjendjen dhe e bën më të vështirë restaurimin e tyre.
Testamenti i dy bamirësive të mëdhenj mbetet ende i pazbatuar.
Shpërblimi i Shtetit, i Kishës dhe i Labovës për një vepër të madhe filantropike dhe kombëtare, është shtëpia pa çati e Zhapës, në rrënim të pashmangshëm, atje ku vajtojnë sot kukuvajat!

Ky është fati dhe çmimi i punës për shqiptarët!
I përjetshëm kujtimi i tyre!

/Marrë nga faqja zyrtare Albanian Orthodox

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit