MENU
klinika

Si ka reaguar BE, Gjermania e Britania?

Kushtetuta u ndryshua, SHBA: Keqardhje që s’pati konsensus!

30.07.2020 - 15:52

Ka ardhur reagimi i parë nga SHBA pas votimit në Kuvend të ndryshimit të Kushtetutës për hapjen e listave, pa dakordësinë e opozitës jashtë parlamentit.

Ambasada e SHBA, shkruan se ndjen keqardhje që s’pati konsensus dhe se e kuptojnë zhgënjimin e opozitës.

“Më 23 korrik, Parlamenti miratoi legjislacionin për të kodifikuar marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore, e cila u arrit në një mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse përmes Këshillit Politik. Sot, Parlamenti miratoi ndryshime në Kushtetutë që do të mundësojnë masa shtesë për reformën zgjedhore. Ndërsa ky veprim ishte në kompetencën e Parlamentit, është për të ardhur keq që nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Ne i kujtojmë shumicës deklaratat e saj se, megjithë miratimin e sotëm në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur në marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet. Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve. Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mira të popullit shqiptar” shkruan ambasada e SHBA-së.
Britania, ndërkohë, ka reaguar nëpërmjet ambasadorit britanik, që ka shkruar se donin dialog.
Edhe ambasadori britanik Duncan Norman në reagimin e tij pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese ishte në të njëjtën linjë me atë të BE-së dhe Gjermanisë. “Marrëveshja e 5 qershorit tregoi se çfarë mund të arrihet me dialog, kohë dhe vullnet politik. Do të donim të kishim parë të njëjtën qasje konstruktive në miratimin e ndryshimeve të sotme të Kushtetutës. Është thelbësore që ndryshimet e ardhshme të Kodin Zgjedhor të diskutohen gjerësisht me të gjitha palët në Këshillin Politik përpara se të votohen në parlament”, shkruan ai.
Florian Hahn, raportuesi për Cështjet Europiane në Bundestagun gjerman ka përshëndetur vendimin e Kuvendit të Shqipërisë sot për të ndryshuar kushtetutën me qëllim hapjen e listave.

Ai e cilëson këtë demokratizim të mëtejshëm të procesit zgjedhor, ndërsa u kërkon palëve që të punojnë bashkë.

“Ne përgëzojmë Parlamentin shqiptar për përmbushjen e Marrëveshjes së Këshillit Politik dhe kërkesën e Bundestag për të miratuar një rekomandim të OSBE / ODHIR të bazuar në Reformën Zgjedhore dhe demokratizimin e mëtejshëm të procesit zgjedhor. Por: të gjitha palët duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku në Shqipëri” shkruan ai.

Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca shprehu keqardhje që Kushtetuta u ndryshua sot pa dakordësinë e opozitës jashtë parlamentit, megjithatë kërkon që ndryshimet në Kodin Zgjedhor për listat dhe koalicionet të miratohen me konsensus.

“Tani është thelbësore që ndryshimet në kodin zgjedhor të nevojshme për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, me referencë të veçantë në listat e hapura dhe rolin e koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen siç duhet me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në një mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse para se të votohen në parlament” shkruan ai.

Ndërsa, Ambasadori gjerman në Tiranë Peter Zingraf kërkon nga palët politike që të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit.

Referuar ndryshimit të kushtetutës me kundërshtimin e opozitës jashtë kuvendit, ai kërkon që tani në Kodin zgjedhor ndryshimet të reflekton me konsensus.

“Shpreh keqardhjen që megjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese. Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës.

Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit. Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit.

Shqipëria gjendet përpara mundësive dhe sfidave të mëdha – përmend këtu vetëm bisedimet e anëtarësimit në BE, rindërtimin pas tërmetit dhe kapërcimin e krizës Corona dhe pasojave të saj. Në një situatë të tillë rregullat e qartë e transparentë për zgjedhjet e ardhshme, të pranuar nga të gjitha palët politike, janë me rëndësi thelbësore për të ardhmen e vendit. Sjell në vëmendje, që reforma zgjedhore mbetet një element qendror në përmbushjen e kushteve të formuluara nga Këshilli i BE-së (dhe në mënyrë të ngjashme nga Bundestag-u) përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit me BE-në dhe se zbatimi i suksesshëm i saj është një prej kushteve të grupit të dytë” shkruan ai.