Laçi ka vuajtur në përballjen ndaj Flamurtarit, por duke ia dalë për të grumbulluar tre pikët e vlefshme. Kurbinasit kanë fituar në shifrat 2-1 duke shkuar kështu në vendin e tretë të renditjes, për të parakaluar Teutën dhe për të shkuar në vetëm 4 pikë larg Kukësit.
Por të gjitha duartrokitjet i meriton Flamurtari në përballjen e sotme. Pavarësisht se është e rënë nga Superiorja prej kohësh dhe pa asnjë objektiv të vetëm, vlonjatët po tregohen dinjitozë, duke respektuar kampionatin dhe garën.
I vetmi moment i evitueshëm ishte në minutën e 22-të kur Souza De Oliveria tregon sjellje joprofesionale duke goditur me shkelm kundërshtarin se ishte duke mbrojtur topin, për të dalë me të kuq nga fusha. Në pjesën e parë Flamurtari nuk po thyhej në mbrojtje, me Cungun që ngrinte tonin e zërit ndaj lojtarëve të tij dhe ishte i nervozuar.
Me fillimin e së dytës ishte një penallti ajo që do të hapte takimin, me Nwabuezen që nuk mund të gabonte. Flamurtari nuk u dorëzua dhe duke përfituar nga një gabim i lojtarëve të kurbinasve arritën që të barazonin me Hoxhajn. Ndërkohë goli i fitores për vendasit erdhi nga Turkaj pas një goditje këndit, për t’i dhënë skuadrës këto tre pikë kaq të vyera.
Edhe Vllaznia ka fituar, ka ndodhur pas gjashtë ndeshjeve! Shkodranët po kalojnë një krizë të madhe rezultatesh për shkak të shumë problemeve që nisin me kryesinë e klubit. Por këtë herë me trajnerin e ri Dedja gjendet edhe fitorja e parë.
Pikërisht në transfertë kundër Luftëtarit, ku nuk u gabua për të marrë tre pikët. Goli i vetëm i takmit u realizua nga ana e Junior që realizoi me kokë falë krosimit të Likës. Kaq ka mjaftuar që Vllaznia të merrte tre pikët dhe t’i afrohet Bylisit me vetëm një pikë. Këta të fundit e kanë një përballje me Partizanin në ditën e nesërme, me shkodranët që do të jenë tifozët e parë të kryeqytetasve në këtë rast, me shpresën se nuk do të përfundojnë në “Play-Out”.