MENU
klinika

Nga Bledi Lumani

“Leksioni” i Lulzim Bashës nga Kosova, për institucionet

21.07.2020 - 13:26

Nga Bledi Lumani

Në kulmin e debatit politik në vend, Lulzim Basha vendosi të zhvillojë një vizitë dy-ditore në Kosovë, pa ndonjë objektiv dhe qëllim të qartë.

Në gjithë morinë e takimeve dhe fjalimeve boshe e pa përmbajtje, e vetmja gjë që më mbeti në mendje, ishte një “leksion” i Lulzim Bashës për respektimin e institucioneve, duke iu referuar proceseve gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, në Gjykatën Speciale në Hagë.

“Ndaj dua ta falenderoj për bisedën e sotme, për të qëndruar plotësisht në dispozicion dhe në mbështetje të vendimeve të institucioneve”, tha ai, pas takimit me Fatmir Limajn.

E thënë kjo nga Lulzim Basha, duket si një tallje e madhe.

Jo vetëm për faktin se ai është akuzuar shpesh në media si njeriu që ka “kopsitur” dosjet kundër luftëtarëve të UÇK-së, në kohën që punonte për UNMIK (gjë që mund të jetë dhe pjellë e fantazisë, pasi në fund të fundit ai thjesht një përkthyes ka qenë), por sepse është një ndër të vetmit politikanë shqiptarë, që ka delegjitimuar institucionet dhe i ka ikur përballjes me to.

E ka bërë që në krye të herës si politikan, kur iu shmang përballjes me institucionin e Gjykatës, për një akuzë që mund ta groposte si politikan, pasi akuzohej jo pak, por për abuzimin me 230 milionë euro gjatë ndërtimit të “Rrugës së Kombit”.

Për të përfunduar pastaj me delegjitimimin institucionit të Parlamentit dhe zgjedhjeve, të cilat i bojkotoi (nuk po përmend këtu institucionin me emrin PD, që e ka delegjitimuar krejtësisht që me mënyrën e zgjedhjes kryetar, e deri tek ‘pastrimi’ nga kundërshtarët).

Pra, njeriu që ka shkuar në Kosovë si mos-njohës i instuticoneve të vendit të vet, iu jep leksione politikanëve të Kosovës, të respektojnë institucionet.

Në fakt, e vetmja këshillë që mund t’iu jepte Basha, është pikërisht se si mund t’iu shmangen institucioneve, sidomos kur bëhet fjalë për gjykime, meqë në këto momente, ky është shqetësimi kryesor i politikanëve në Kosovë.

Vetëm se Limaj, Haradinaj&CO, ndryshe nga Basha dhe këta politikanët tanë në Tiranë, kanë treguar aq burrëri sa për t’u përballur me institucionet, kanë shkuar edhe në burg madje, për të pastruar emrin e vet nga akuzat publike të ngritura ndaj tyre.

Madje me dorën e tyre, votuan për ngritjen e Gjykatës Speciale, të vetëdijshëm se një ditë mund të shkonin edhe vetë aty.

Ndaj më e pakta që kanë nevojë në këto momente, janë këshillat nga një njeri si Lulzim Basha, që institucionet i sheh si “gogol”, herë nga frika se mund të përfundonte në burg, e herë se mund të humbiste zgjedhjet.