Në një vend ku gjërat harrohen shpejt e ku të gjitha partitë dhe liderët politikë, në një perceptim të përgjithshëm thuhet se janë njëlloj, ka momente si ky që të japin provat konkrete për të kundërtën. Kuptohet, kjo vlen për të gjithë ata që duan të shohin, dëgjojnë dhe gjykojnë mbi bazë faktesh e provash dhe jo mbi bazën e tifozerive politike.
PD dhe Kryetari i saj Lulzim Basha kanë premtuar ndryshimin e sistemit elektoral në Shqipëri. E shndërruan jo vetëm në një kalë beteje, por kishin firmosur edhe marrëveshje me shkrim, për ta mundësuar atë, me grupe të ndryshme interesi. Madje duke nxitur edhe lëvizje, nisma e individë të shoqërisë civile që të amplifikonin, përmes mediave dhe propogandës opozitare.
Realiteti është ai që pamë të gjithë në negociatat për arritjen e marrëveshjes për reformën e re elektorale në tryezën e Këshillit Politik. Përfaqësuesit e PD dhe LSI ishin kundër çdo lloj ndryshimi në sistemin elektoral të vendit. Madje, e vendosën si kusht të panegociueshëm edhe ndryshimet e kërkuara nga OSBE/ ODHIR.
Besoj se gjithkush e ka të paktën ende të freskët, faktin se opozita e rrugës ishte kundër depolitizimit të komisioneve të votimit dhe numërimit, një gangrenë 30 vjeçare e historisë së proceseve zgjedhore në Shqipëri, prej nga e kanë patur burimin shumica e problematikave për arritjen e standardeve demokratike.
Pas kësaj, PD dhe Kryetari i saj Lulzim Basha kanë dalë kundër propozimit të opozitës së re parlamentare, për hapjen e listave të kandidatëve për deputetë. Ky hap mbështetet nga shumica e shqiptarëve në të gjitha sondazhet e zhvilluara, por edhe nga ekspertët, si një mundësi për demokratizimin e mëtejshëm të partive dhe rritjen e rolit vendimarrës të qytetarëve në demokraci.
Megjithëse ka qenë një premtim i deridjeshëm, liderët e opozitës sot, janë jo vetëm kundër hapjes së listave por kanë shkuar edhe më tej. Kanë detyruar disa deputetë të opozitës së re Parlamentare që të dalin publikisht, e të deklarojnë votën e tyre pro marrëveshjes së 5 Qershorit dhe kundër hapjes së listave të kandidatëve për deputetë!
Ironia është se PD dhe LSI po tentojnë që ta bëjnë këtë, me ata deputetë që në zgjedhjet e 2017, ishin në pjesën e fundit të listave të kandidatëve të partive të tyre. Në vendet ku i kishin degdisur në listat e mbyllura, ata nuk u futën dot në Parlament. Por, nëse listat do të ishin të hapura, disa prej tyre mund të ishin fitues përpara disa të tjerëve, që i çoi në atë sallë jo vullneti i votuesve, por dëshira e Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.
E si të mos mjaftonte kjo, edhe kur ia dolën të mernin atë që u takonte politikisht, duke zënë vendet e tyre në Parlament pasi deputetët e listave të mbyllura dogjën mandatet në janarin e 2019, ata u denigruan sërisht. U shanë, u akuzuan, u anatemuan, u linçuan, u etiketuan, u akuzuan, u sulmuan, u shantazhuan. Ndërsa sot, kur partitë që i bënë “lanet” janë në hall, disa prej këtyre deputetëve dalin kundër vetes, për të shpëtuar liderët dhe partitë që u tallën me ta.
Megjithatë, ky nuk është thelbi i problemit. Sepse në fund të fundit, secili prej deputetëve është sovran në vendimarrjen e tij individuale, për aq kohë sa nuk janë as të detyruar nga ndonjë vendim politik, pasi nuk përfaqësojnë në atë sallë as ndonjë parti e as vullnetin politik të zgjedhësve të vet. Kjo është e shumta një pasqyrë e qartë, ku qytetarët kanë mundësi që të shohin se kujt i ka shkuar mandati, në mënyrë që të mendohen më mirë në të ardhmen.
Më e rëndësishme është fakti se kjo situatë sa absurde aq edhe komike, tregon se lidershipi i PD dhe LSI, ndryshe nga sa hiqen, trumbetojnë e përbetohen, janë kundër hapjes së listave të kandidatëve për deputetë. Listat e hapura janë testi i vetëm dhe më i mirë për nivelin, standardin dhe gradët e demokratizimit të partive të opozitës në Shqipëri.
Vetëm partitë e hapura, nuk mund të kërkojnë siç po bën me çdo kusht e çmim PD dhe LSI, lista të mbyllura. Sepse është fare e thjeshtë: Vetëm nëse je një parti politike e mbyllur, mund të jesh kundër listave të hapura!