Pandemia dhe protestat e muajve të fundit duhet të na shërbejnë për të na kujtuar një të vërtetë të thjeshtë: maska është thjesht maskë. Ajo që ka rëndësi për demokracinë nuk është nëse njerëzit i mbulojnë fytyrat e tyre në publik, por se cilët njerëz e bëjnë këtë dhe arsyeja pse e bëjnë.
Nga Hugo Drochon
Gjatë muajit të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë thyer rregullisht rekordin e tyre të përditshëm të rasteve të reja të konfirmuara me COVID-19, duke regjistruar një total prej më shumë se katër milionë rastesh në tërësi dhe rreth 150,000 vdekje. Edhe pse vendet e tjera të zhvilluara në Europë dhe Azi duket se po e frenojnë përhapjen, SHBA-ja ka shkuar në drejtim të kundërt, me pandeminë që përhapet pa mëshirë në shtetet jugore dhe perëndimore: Arizona pati po aq raste sa i gjithë Bashkimi Europian, i cili ka një popullsi 60 herë më të madhe.
Çfarë shkoi keq? Një pjesë e përgjigjes është se disa shtete u rihapën shumë shpejt. Kalifornia, në fillim një histori suksesi, përjetoi një rritje prej 90% të rasteve javët e fundit dhe i është dashur të vendosë përsëri disa masa izolimi. Numri i rasteve ditore në Florida, të cilat arritën në rreth 5,000 në javën e fundit të qershorit, një muaj më vonë pothuajse është dyfishuar.
Por ndoshta fajtori më i madh ka qenë ndarja e thellë në lidhje me mbajtjen e maskave, të cilat në SHBA janë bërë një tjetër front lufte. Një studim i fundit i Qendrës Kërkimore Peë zbuloi se vetëm 49% e republikanëve konservatorë thanë se kanë mbajtur maskë shumicën e kohës gjatë muajit të kaluar. Mes demokratëve liberalë, kjo shifër ishte 83%. Në të gjithë vendin ka pasur konfrontime të zemëruara midis atyre që janë pro mbajtjes së maskës dhe atyre që janë kundër, shpesh jashtë dyqaneve.
Polarizimi i Amerikës në lidhje me përdorimin e maskave filloi që në majë. Që nga fillimi i krizës së COVID-19, presidenti Donald Trump ka refuzuar me vendosmëri të mbajë maskë në publik, duke tallur me një reporter që nuk pranoi ta hiqte maskën e tij dhe duke u shprehur se ky gjest ishte “politikisht korrekt”. Shumë zyrtarë republikanë, përfshirë guvernatorë si Ron DeSantis i Floridës, ndoqën shembullin e Trump. Gjatë tubimit të tij tashmë famëkeq në Tulsa në qershor, maskat ishin të pakta (infektimet atje më pas u rritën ndjeshëm). Vetëm në fund të korrikut – me rënien e mbështetjes për të, shtimin e numrit të të infektuarve nëpër shtet ku ai duhet të fitojë patjetër që të rizgjidhet në nëntor dhe pasi ndihmësit e tij raportohet se i kërkuan atij që “të përqendrohet ta trajtojë seriozisht virusin në komentet e tij publike” – Trump e bëri të detyrueshme përdorimin e maskave (por pa e vënë vetë një të tillë).
Ndryshe nga kjo, Joe Biden, kandidati i Demokratëve që do të përballet me Trump në nëntor, del rregullisht në publik me maskë dhe i përmbahet udhëzimeve për distancimin social. Për më tepër, Biden ka thënë se nëse ai do të ishte në vendin e Trump, ai “do të bënte gjithçka që është e mundur për ta bërë të detyrueshme mbajtjen e maskave në publik”.
Autoritetet e shëndetit publik dërguan gjithashtu sinjale të përziera. Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë fillimisht nuk e rekomanduan mbajtjen e maskave në publik, nga frika e mungesës së rezervave që nevojiteshin për punonjësit e kujdesit shëndetësor. Por, ndryshe nga Trump, të dy këto të fundit i ndryshuan më pas këshillat e tyre në bazë të provave epidemiologjike.
Në nivel popullor, krahas pikëpamjes së shumë votuesve republikanë që maskat janë “gojëza” për lirinë dhe zgjedhjen personale, në SHBA ka pasur një kundërshtim të fortë përsa i takon përdorimit të maskave. Një banor nga Florida protestoi duke u shprehur se mbajtja e një maske flakte tej “sistemin e mrekullueshëm që na ka krijuar Zoti për të marrë frymë”. Por për të krishterët fundamentalistë, ekziston një logjikë më e thellë për të kundërshtuar përdorimin e maskave: të krishterët mbajnë kryqe; janë myslimanët ata që mbulojnë fytyrat e tyre.
Lidhja midis islamofobisë dhe armiqësisë për mbulimin e fytyrës ka ekzistuar prej kohësh. Dy vjet më parë, kryeministri britanik Boris Johnson i krahasoi gratë e mbuluara myslimane me “kuti letre” dhe në vitin 2011 presidenti francez Nicolas Sarkozy prezantoi “ndalimin e burkës”, duke ndaluar mbulimin e plotë të fytyrës të grave myslimane në publik. Në Francë, urdhrat e qeverisë për të mbajtur maska në përgjigje të COVID-19 janë pritur me ironi. Siç vërejti James McAuley nga Washington Post: “nëse një grua myslimane dëshiron të hipë në metronë në Paris, asaj do t’i kërkohej të hiqte burkën e saj dhe ta zëvendësonte atë me një maskë”.
Nëse qëllimi i ligjit të ish-presidentit Sarkozy, i titulluar “La République se vit à visage découvert” (“Republika jetohet me fytyrën e zbuluar”), ishte diskriminues, ai u shqëruar me një justifikim më fisnik, duke u shtrirë deri në kohën e Iluminizmit, për t’u shfaqur i pa maskuar në sferën publike. Duke refuzuar politikën e sjellshme të Ancien Régime, të shënuar nga ballot me maska, filozofë si Jean-Jacques Rousseau argumentuan se qeverisja në një republikë duhet të jetë krejtësisht transparente: ata që marrin pjesë në sferën publike duhet të jenë në gjendje të shohin dhe të shihen nga të tjerët. Vetëm atëherë mund të fillojë të ekzistojë një politikë vërtet demokratike.
Ideja e Jean-Jacques Rousseau ishte që qytetarët demokratë të angazhoheshin me njëri-tjetrin publikisht, gjë që do t’i detyronte ata të mbanin përgjegjësi për pikëpamjet e tyre. Por dy zhvillime të kohëve të fundit e kanë sfiduar atë hapësirë demokratike.
E para janë risitë teknologjike si njohja e fytyrës, të cilat shtetet mundet dhe i përdorin për të monitoruar dhe kontrolluar popullsinë e tyre. Kjo është arsyeja pse protestuesit pro-demokracisë në Hong Kong, për shembull, nuk pritën deri kur filloi pandemia për të mbuluar fytyrat e tyre.
Së dyti, përdorimi i detyrueshëm i maskave, të cilin po e kërkojnë shumë vende perëndimore si përgjigje për COVID-19, e bën llojin e transparencës që Rousseau kishte në mendje më të vështirë për t’u arritur. Kur në qershor shpërthyen protestat “Black Lives Matter”, pjesëmarrësit që, si demokratë të mirë, normalisht do të kishin demonstruar “me fytyrën zbuluar”, shpesh, si qytetarë të mirë, i mbuluan fytyrat e tyre.
Kjo mungesë transparence mund të jetë argëtuese ose zhgënjyese për demonstruesit që e gjejnë veten duke mos njohur miqtë dhe shokët e tyre. Por kur kjo ndodh nga ana tjetër – kur forcat e sigurisë heqin ose mbulojnë matrikullin e identifikimit, e cila u siguron atyre pandëshkueshmëri për dhunë kundër protestuesve paqësorë – kërcënimi ndaj hapësirës demokratike publike është thelbësor. Këto shqetësime kanë arritur krizën me dërgimin nga ana e Trump të forcave paraushtarake federale për të shtypur protestat e natës në Portland, Oregon dhe gatishmërinë e tij për të bërë të njëjtën gjë në qytete të tjera.
Në fund të ditës, pandemia dhe protestat duhet të na kujtojnë një të vërtetë të thjeshtë: maska mbetet thjesht maskë. Ajo që ka rëndësi për demokracinë nuk është nëse njerëzit i mbulojnë në publik fytyrat e tyre, por cilët njerëz e bëjnë këtë dhe arsyeja pse e bëjnë.
Project Syndicate