MENU
klinika

Nga Alfred Peza

Lulzim Basha, në vendin e duhur për të bërë gjërat e gabuara!

24.07.2020 - 19:57

Lulzim Basha është përfundimisht ai lloj lideri politik, që nuk të surprizon kurrë. Sepse është shumë i parashikueshëm. Përmes një qasje atipike, nuk të zhgënjen asnjëherë, me gabimet e tij sistematike. Vetëm Kryetari i Partisë Demokratike mund të ketë aftësinë e jashtëzakonshme, për të qenë gjithmonë në vendin e duhur, për të bërë gjërat e gabuara. Është gjithmonë njeriu i duhur, për tu shfaqur në kohën e gabuar.

E tregoi edhe këtë radhë, kur deklaroi siç veç ai di përpara gazetarëve, se është për hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. E ta mendosh, se deri dje, betohej e përbetohej se kjo nuk kishte për të ndodhur kurrë. Se PD nuk e njeh marrëveshjen e bërë mes PS dhe opozitës Parlamentare dhe se nuk do të pranojë asnjë hap të ri, jashtë marrëveshjes së 5 qershorit në tryezën e Këshillit Politik.

Opozitarët tanë nuk kanë reshtur së propoganduari, tezën se propozimi për listat e hapura, është një opsion i papranueshëm. Se propozimi i Ambasadores së SHBA Yuri Kim, për një sistem proporcional rajonal me lista të hapura, nuk i shkon historisë dhe traditës së zgjedhjeve në Shqipëri. Se mbështetja mbarëpopullore që ka marë ideja e listave të hapura, nuk është e vërtetë, por një sajesë e propogandës së mazhorancës për të mbështetur lojën e PS dhe Edi Ramës, në kurriz të opozitës.

As fakti se BE e OSBE ishin pro vijimit të dialogut politik, edhe për çështjet jashtë marrëveshjes së 5 qershorit, nuk pinte ujë. As fakti se Lulzim Basha e ka patur çështjen e hapjes së listave të kandidatëve për deputetë, një nga kauzat e tij më të vjetra politike, nuk bënte punë. As fakti se ia kishte premtuar hapjen e listave për vite e vite me radhë, shoqërisë civile, nuk i kthente më mbrapsht. As fakti se Lulzim Basha kishte hedhur firmën e tij në një marrëveshje me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit për listat e hapura, nuk i bënte që të ndryshonin mendje.

Por do të kalonin vetëm 24 orë nga votimi në Parlament i marrëveshjes së mazhorancës me PS e LSI dhe gjithçka ka ndryshuar sa hap e mbyll sytë. Lulzim Basha jo vetëm që është pro hapjes së listave. Jo vetëm është pro votimit të kësaj nisme më 30 korrik. Jo vetëm është pro aplikimit të tyre, në zgjedhjet e pranverës së 2021. Por Lulzim Basha i ka tejkaluar të gjithë. Edhe Edi Ramën. Edhe SHBA. Edhe BE. Edhe OSBE. Edhe opozitën parlamentare. Edhe shoqërinë civile. Edhe qytetarët shqiptarë.

Sepse tani Lulzim Basha është jo vetëm thjeshtë për hapjen, por edhe për shqyerjen e listave. Është për një hapje akoma më të madhe sesa ishte propozuar. Duke u bërë madje, edhe më radikal se të gjithë mbështetësit e idesë, të marës sëbashku. Sepse ndryshe nga ata, Lulzim Basha është për hapjen 100% të listave të kandidatëve për deputetë! Me këtë vrull që ka marë, nuk është çudi që nesër, ti akuzojë madje se jo ai, por ata ishin deri sot kundër hapjes së listave.

Nuk është hera e parë, që Lulzim Basha ka një qaje të tillë në 7 vitet e fundit. Ishte në vendin e duhur nga pozicioni i liderit të opozitës shqiptare, para zgjedhjeve të 2015, për të kontribuar për reformën e ndarjes administrativo- territorial të vendit. Por e bojkotoi, duke bërë gjënë e gabuar. Para zgjedhjeve të 2017 hyri në çadër për “Republikën e re”, por rezultoi gjithashtu një lëvizje e gabuar. Dogji mandatet e deputetëve, e sot rezulton një vendim i gabuar. Bojkotoi zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, e sot rezulton një akt i gabuar.

Pavarësisht të gjithave, ardhja edhe e Lulzim Bashës tek ideja e hapjes së listave, është një lajm i mirë. Për të në radhë të parë. Për Partinë Demokratike. Për “Opozitën e Bashkuar”. Dhe për jetën politike dhe parlamentare të vendit. Sepse më 30 korrik, në seancën plenare të Kuvendit, është e sigurtë se hapja e listave do të miratohet. Se sa dhe si do të hapen, kjo është një e drejtë vendimarrëse e Parlamentit. Opozita mund të ofrojë sugjerimet e saj, në tryezën e Këshillit Politik. Nëse ato, do të meren ose jo parasysh, kjo është diçka tjetër!

E sigurtë është vetëm një gjë: Ashtu siç u miratua marrëveshja e 5 qershorit me opozitën e rrugës, do të miratohet edhe marrëveshja e 21 korrikut, me opozitën parlamentare. Lulzim Basha ka edhe 5 ditë kohë deri atëherë që pas hapjes së listave, të pranojë edhe propozimet e bëra për koalicionet para zgjedhore dhe pragun elektoral. Sepse është në vendin e duhur, në kohën e duhur, për të mos bërë sërisht gjënë e gabuar!