MENU
klinika

Kuvendi diskuton raportin për 'shpëtimin' e Presidentit

Manja: Meta bëri 2 shkelje, por nuk mjaftojnë për ta shkarkuar

27.07.2020 - 09:42

Prej orës 10:00 po zhvillohet seanca e posaçme për të shqyrtuar dhe miratuar raportin e Komisionit Hetimor që shpëton Ilir Metën nga shkarkimi. Kuvendi i Shqipërisë në rendin e ditës ka vetëm një çështje për diskutim dhe ku nuk pritet që të ketë surpriza. Deputetët pritet që të vulosin shpëtimin e Presidentit Ilir Meta nga shkarkimi.

Raporti u hartua nga relatorja socialiste Klotilda Bushka dhe u miratua nga socialistët me rezervën e Bashkim Finos dhe kundërshtimin e opozitarëve. Historia nisi një vit më parë, ku presidenti Ilir Meta anuloi datën e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, socialistët ngritën një komision të posaçëm hetimor për veprimet e kreut të shtetit, ndërsa rrugës iu shtua edhe ai për debatin në Gjykatën Kushtetuese.

Por në fund, socialistët arritën në përfundimin që Ilir Meta ka kryer shkelje, por jo aq të rënda sa të justifikojnë shkarkimin e tij nga detyra duke u tërhequr. Ndërsa për të parandaluar që një gjë e tillë të ndodhë në të ardhmen propozuan që të bëhet një ligj organik për institucionin e kreut të shtetit që sipas tyre të përcaktojë qartë dhe të mos e lejojë që të dalë nga kornizat.

Opozita parlamentare e kundërshtoi duke kërkuar shkarkimin e tij për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 Qershorit të vitit të kaluar. Megjithatë shumica socialiste pritet që të mjaftohet vetëm me një vërejtje për Ilir Metën duke mbyllur kapitullin. Ndërkohë që në njërën nga seancat e tjera brenda sesionit, pritet që të miratohet hapja e listave dhe formula e re e koalicioneve, që kërkon ndryshime kushtetuese.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja nga foltorja e Kuvendit bëri një rezyme të punës një vjeçare të komisionit hetimor për presidentin dhe u shpreh se anëtarët arritën me shumicë votash (nga PS) se Ilir Meta e shkeli Kushtetutën me anulimin e datës së zgjedhjeve, por veprimi nuk është aq i rëndë sa të shkarkohet.

“Edhe nëse seanca voton një kërkesë për shkarkimin e presidentit është gjykata Kushtetuese që jep verdiktin përfundimtar. Komisioni zhvilloi 13 mbledhje, një me presidentin e Republikës. Raporti nuk është ngritur mbi konsiderata politike. Komisioni vlerësoi të mos marrë në analizë cështje që nuk janë në tagër të tij, por që janë nga Gjykata Kushtetuese, përgjigje që do të ndihmonte në interpretimin e termit shkelje e rëndë.

Nga hetimi rezultuan disa shkelje të kryera, veprime dhe mos veprime. Komisioni arriti në përfundimin se dekreti i Presidentit për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit 2019, por edhe dekreti për emërimin e Marsida Xhaferrllarit gjyqtare Kushtetuese janë akte dhe vlerësime anti-kushtetuese. Shkeljet nuk çojnë domosdoshmërit në shkarkimin e presidentit, por janë të një natyre që diktojnë marrjen e masave për plotësimin e kuadrit ligjor me mekanizma të qartë për të evituar situata bllokuese në të ardhmen” tha ai.