MENU
klinika

Fluks në Morinë

Mbi 8 mijë shqiptarë të Kosovës drejt vendit tonë për fundjavë

04.07.2020 - 15:24

Që në orët e para të mëngjesit nga Kosova drejt bregdetit shqiptar ka pasur një fluks të shtuar lëvizjesh. Në pikën doganore të Morinës, siç duket dhe nga pamjet, radhët kanë qenë kilometrike.

Përgjatë rrugës Morinë-Kukës ka pasur dhe një trafik të shtuar. Pjesa më e madhe e shqiptarëve të Kosovës thanë se do të kalojnë një fundjavë në Shqipëri dhe kanë qenë të pajisur dhe me maska.

“Po shkojmë për Shqipëri, Durrës, me bo tri katër ditë pushim. Këtu shumë bukur po shkon. S’ka kurrfarë problemesh se është kufi i joni. Maskat ja ku i kemi, të gjitha. Jemi të përgatitur,” thotë njëri prej tyre.

Një tjetër u shpreh se ishte nisur për në Shëngjin për të kaluar fundjavën.

Burime nga policia kufitare thanë për mediat se është punuar me staf të plotë me qëllim përshpejtimin e procedurave për të shmangur radhët dhe qëndrimin në kufi.

Vetëm në dy orët e para të mëngjesit nga ora 6.00 deri ne 8.00, nga kjo pikë doganore kanë kaluar rreth 8 mijë shqiptarë nga Kosova.