MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Më kanë dalë “iriqë”, si t’i kuroj?

09.07.2020 - 08:51

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Para një viti e gjysmë më dolen disa iriqa tek zona intime. Bëra pap testin, të gjitha analizat dhe përfundimi ishte që duhet të digjja iriqin kryesor që supozohet ishte “nëna” në mënyrë që të eliminoheshin të tjerat. E bëra, u zhdukën për një periudhë kohe. Tani kam dy muaj që ato më kanë dalë përsëri. Kam provuar çdo metodë me ujë me sodë, betarin. Edhe shpëlarje me uthull molle përditë.  Çajra pi pafund, shpëlarjet me ato që përmenda, i bëj çdo ditë. Më ndihmoni ju lutem me ndonjë metodë si t’i zhduk përfundimisht. A janë këto shenja kancerogjene që nuk zhduken, sepse nuk e marr më nismën për të shkuar nëpër spitale ku veç të ngarkojnë me antibiotikë pa fund dhe gjë nuk zgjidhin. Faleminderit.

Mjeku: Së pari, referuar të dhënave të atyre që ju thoni, etiketimi “iriq” nuk është i qartë. Por duke supozuar që mund të ketë qenë një nga sëmundjet veneriane me origjinë virale, atëherë duhet nisur nga marrja e të dhënave të plota nga ana juaj. Pra, historinë e sëmundjes, ku përfshihen edhe të dhëna për shëndetin seksual. Pastaj duhet bërë një vizitë që të vizualizohet dhe ekzaminohesh. Është e nevojshme të shikojmë shtrirjen e tyre, formën, madhësinë, konsistenca dhe dhimbshmërinë (nëse keni) .

Përderisa ju keni kryer edhe një trajtim të mëparshëm, kjo kërkon gjetjen e shkakut të kësaj rishfaqje dhe trajtimin profesional të tyre.

Ekziston mundësia që edhe pasi të trajtohen, përsëri ato mund të rishfaqen në varësi të faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm.

Trajtimi që ju keni bërë në mënyrë personale, nuk duhet ta bëni dhe ta vazhdoni më gjatë, sepse jo vetëm nuk do të japë efekte, por mund të dëmtojë florën bakteriale normale të ekosistemit vaginal.

Pra, si përfundim ju këshilloj që të bëni një vizitë te mjeku/ja specialiste në mënyrë që të merrni informacionin e duhur. Të diagnostikoheni dhe të merrni trajtimin profesional.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.