Të dhëna premtuese sugjerojnë që mund të zhvillojmë të paktën njëfarë imuniteti ndaj koronavirusit – por sa i fortë është ai dhe sa do të zgjasë?Screenshot-2020-07-08-at-8.19.57-PM
KUR Pneumonia e re që qarkullonte në Kinë u konfirmua se shkaktohet nga një koronavirus, një situatë edhe ashtu shqetësuese, papritmas u përkeqësua. Si rregull, koronaviruset nuk prodhojnë një “memorje imune” shumë të fortë: domethënë reagimin afatgjatë që lejon trupat tanë të sprapsin një sulm të mëvonshëm dhe që bën të mundur vaksinat. Kur dolën raporte nga Japonia dhe Kina për njerëz të cilët e kishin marrë përsëdyti virusin, u duk se u konfirmua frika më e keqe e imunologëve.
Por shtatë muaj më vonë, shpresat po rriten. Nuk ka më asnjë dyshim serioz që trupat tanë e kanë të mundur të krijojnë një memorie imune ndaj virusit SARS-CoV-2 – megjithëse ende nuk e dimë se sa efektive do të jetë kjo memorje. “Kjo është pyetja kryesore për covid-19,” thotë Nicolas Vabret në Shkollën e Mjekësisë Icahn, në Mount Sinai në New York.
“Eshtë absolutisht pyetja e duhur për të bërë tani, sepse shumë gjëra varen pikërisht nga kjo,” thotë Paul Klenerman në Universitetin e Oksfordit. Kjo përfshin mundësinë e zhvillimit të vaksinave, terapive dhe imunitetit të tufës, por edhe vendimet nëse do të lëshohe pasaporta imuniteti për njerëzit që e kanë marrë veten nga virusi, dhe si dhe kur të lehtësohen masat e bllokimit.
Kujtesa imune mund të jetë një forcë tepër e madhe dhe e qëndrueshme. Imunologët pëlqejnë të tregojnë historinë e një epidemie të fruthit në Ishujt Faroe, në vitin 1846. Kur doktori danez Peter Panum shkoi për të hetuar, ai zbuloi se sëmundja po përhapej shumë, por edhe se personat 98 vjeç e lart ishin imunë ndaj saj. Ata rezultuan se ishin të mbijetuar nga shpërthimi i mëparshëm në vitin 1781. Një takim i vetëm me virusin e fruthit i kishte pajisur me mbrojtje të përjetshme.
Sidoqoftë, viruse të tjera nuk gjenerojnë një reagim kaq të fortë imunitar, gjë që mund t’i bëjë ata të vështirë të vaksinohen. Për shembull, virusi sinkitial i frymëmarrjes, i ka rezistuar deri më tani të gjitha përpjekjeve për të zhvilluar një vaksinë. Viruse të tjerë nxisin një reagim të moderuar imun dhe memorie të dobët e të shkurtër. Vaksinat për këto viruse janë të mundshme, por shpesh kërkojnë forcues të rregullt për të ruajtur imunitetin.
Linjat e mbrojtjes
Derisa doli SARS-CoV-2, imunologët do t’i kishin vendosur koronaviruset, në fundin e spektrit. Ekzistojnë katër koronaviruse në qarkullim, të gjitha shkaktojnë ftohje të zakonshme. Ata nxisin një përgjigje imune, por nuk lënë pas një memorie imune. Brenda një viti apo më shumë, nga pastrimi i një virusi kaq të ftohtë, ne jemi të prekshëm nga infeksioni i përsëritur.
Mbrojtja ndaj koronaviruseve SARS dhe MERS është disi më e mirë, zgjat disa vjet, thotë Vabret. “A do të ketë SARS-CoV-2, ashtu si MERS dhe SARS mbrojtje disa vjeçare, apo do të jetë si të tjerët?”
Ekzistojnë dy komponentë të kujtesës imune. I pari është përgjigja e antitrupave, që ndërmjetësohet nga qelizat imune të quajtura qelizat B. Një sistem imunitar i shëndetshëm mban një repertor të madh të qelizave B, secila në gjendje të prodhojë një antitrup të ndryshëm të quajtur antigjen, i cili njeh dhe lidhet me molekula të veçanta në sipërfaqen e patogjenëve.
Kur sistemi imunitar ndeshet me një patogjen të ri, çdo qelizë B që ndodh të prodhojë të duhurit, përhapet në mënyrë të shpejtë, duke pompuar antitrupa që neutralizojnë rrezikun. Sapo përgjigja imune të marrë epërsinë, një lloj antitrupi i quajtur imunoglobulinë G (IgG) bëhet i zbulueshëm në gjak.
Pasi të pastrohet patogjeni, IgG vazhdon të qarkullojë në gjak për disa javë, muaj apo edhe vite, prodhuar nga qelizat B me jetë të gjatë në palcën e kockave. Nëse këto antitrupa janë mjaft të fuqishëm, ato njihen si antitrupa neutralizues dhe sigurojnë një mburojë të padepërtueshme ndaj infeksionit.Ky quhet imuniteti sterilizues.
Edhe pse testet e antitrupave për koronavirusin mund të tregojnë nëse e keni pasur infeksionin, një rezultat pozitiv nuk do të thotë se jeni imunë, apo që do të jeni për një kohë të gjatë.
Dega tjetër e kujtesës imune gjithashtu fillon të mbijë, afërsisht në kohën kur patogjeni është mposhtur. Disa qeliza B maturohen dhe shndërrohen në qeliza B të kujtesës, dhe vendosen për një kohë të gjatë në nyjet limfatike dhe shpretkë. Nëse patogjeni kthehet dhe nuk eleminohet menjëherë prej imunitetit sterilizues – mbase sepse IgG në qarkullim është zvogëluar ose nuk po neutralizon plotësisht – këto qeliza B fillojnë të shumohen përsëri dhe shpejt e vënë përfund atë, shpesh pa simptoma të sëmundjes.
Qelizat të tjera imune, të quajtura qelizat T, gjithashtu kontribuojnë në imunitetin dhe janë veçanërisht të rëndësishme për infeksionet virale. Qelizat T ndihmëse koordinojnë sulmet imune ndaj qelizave të infektuara, ndërkohë që qelizat T vrasëse kryejnë sulmin. Të dy llojet mund të bëhen qeliza T të kujtesës për një kohë të gjatë. Ato vendosen në organet dhe indet limfatike, të gatshme për të hyrë në veprim me shfaqjen më të lehtë të ri-infektimit.
Së bashku, versionet e qelizave B dhe T të kujtesës sigurojnë imunitet funksional – ato nuk parandalojnë ri-infektimin, por e mposhtin atë me shpejtësi.
Tani ka shenja premtuese se koronavirusi nxit të dy format e kujtesës imune. “Unë mendoj se ka shumë të ngjarë që ne të kemi imunitet efektiv,” thotë Ashley St John, në Shkollën e Mjekësisë Duke-NUS në Singapor.
Reagimi i antitrupave
Sa për antitrupat, ne tani e dimë se IgG tenton të shfaqet në rrjedhën e gjakut rreth pesë ditë pasi një person zhvillon simptoma të koronavirusit. Në një studim të fundit të 624 personave kryesisht me covid-19 të butë ose të moderuar, një ekip nga Shkolla e Mjekësisë Icahn zbuloi se të gjithë, përveç tre prej tyre kishin antitrupa në gjak. Një studim tjetër shqyrtoi 177 pacientë të shëruar të cilët ishin sëmurë më rëndë, dhe zbuluan se më shumë se 90 përqind kishin antitrupa dhe ende kishin nivele të larta të tyre, pas dy muajsh.
Kjo ndoshta do të thotë gjithashtu që qelizat B të kujtesës janë duke u formuar. “Reagimet e antitrupave janë zakonisht një zëvendësues shumë i mirë për reagimet e qelizave B,” thotë St John.
Sa për qelizat T, Klenerman dhe kolegët e tij kanë raportuar se një grup prej 42 personash që u shëruaun nga covid-19 prodhuan përgjigje të kujtesës së qelizave T “të gjerë dhe të fortë”. “Unë mendoj se ka një shans të arsyeshëm që njerëzit të zhvillojnë njëfarë niveli të mbrojtjes imune përmes reagimit të antitrupave dhe qelizave T”, thotë ai.
Por ka shqetësime. Njëri është se njerëzit që janë të infektuar, por nuk kanë fare, ose kanë vetëm simptoma të buta, nuk gjenerojnë një përgjigje të mjaftueshme për të lënë kujtime imune. Një tjetër është se edhe një reagim i fortë imunitar mund të zvogëlohet shpejt.
Sipas Klenerman, forca e kujtesës imune zakonisht varet nga madhësia e përgjigjes fillestare. “Sa më i madh të jetë kulmi, aq më shumë do të zgjasë përgjithësisht, sepse gjithçka do të kalbet pasi antigjeni të jetë zhdukur”. Kjo sugjeron që njerëzit që marrin infeksione të buta ose asimptomatikët, mund të mbeten të infektueshëm, thotë ai.
Një studim i fundit në Kinë duket se konfirmon që këto janë probleme. Ai zbuloi se njerëzit që ishin të infektuar por asimptomatikë kishin nivele më të ulëta të IgG sesa pacientët simptomatikë. Për më tepër, nivelet e tyre ranë mjaft shpejt pasi virusi ishte zhdukur, teksa 40 përqind u kthyen në nivele normale pas dy muajsh. I njëjti studim zbuloi se rreth 60 përqind e pacientëve simptomatikë gjithashtu kishin rënie të niveleve të IgG, pas dy deri në tre muajsh. “Kjo është në përputhje me disa shqetësime se imuniteti natyror ndaj koronaviruseve mund të jetë jetëshkurtër,” thotë Danny Altmann në Imperial College London.
Përqendrimi i antitrupave në qarkullimin e gjakut nuk është domosdoshmërisht i barabartë me atë se sa i mbrojtur është një person, thotë St John. “Mund të kesh shumë antitrupa me cilësi të dobët dhe kjo nuk do të të ndihmojë shumë. Ndërsa nëse keni pak antitrupa me të vërtetë të mirë, me cilësi të lartë, edhe nëse është përqendrim pak më i ulët, ato mund të jenë edhe më mbrojtës”.
Në atë drejtim, ka edhe një lajm të mirë. Një ekip në Institutin e Kërkimeve Scriptps në Kaliforni ka izoluar antitrupa nga gjaku i pacientëve të shëruar prej covid-19, dhe testoi fuqinë e tyre. Nga më shumë se 1800 antitrupa të ndryshëm, ata gjetën tre antitrupa neutralizues super të fuqishëm. Nëse njerëzit me raste të butë ose asimptomatikë janë duke i bërë këto ose antitrupa të ngjashëm, madje edhe në sasi të vogla, ato mund të jenë të mirëmbrojtur, thotë St John.
Një shpresë tjetër është që njerëzit me infeksione të buta mund të zhvillojnë një formë të zbuluar rishtaz të kujtesës imune. Kur infeksionet kufizohen në rrugët e frymëmarrjes, ato nuk gjenerojnë antitrupa që qarkullojnë, por sërish mund të çojnë në formimin e qelizave të kujtesës. Imunologët kanë zbuluar së fundmi se qelizat B dhe T të kujtesës mund të vendosen në membranat mukozale në hundë dhe mushkëri dhe mund të bllokojnë rifutjen e një virusi në trup. Ekzistojnë disa prova për këtë nga një studim i punonjësve të kujdesit shëndetësor zviceran, që ishin të ekspozuar ndaj virusit, por nuk u sëmurën. Shumë prej tyre nuk kishin antitrupa që qarkullonin në gjak, por ata kishin antitrupa në hundë dhe në lotë.
Mëkati fillestar
Megjithatë, më shumë lajme të mira vijnë nga zbulimi se njerëzit që nuk janë infektuar kurrë me SARS-CoV-2, megjithatë mund të kenë qelizat e kujtesës që i përgjigjen. Imunologët thonë se këto duhet të jenë kujtime nga infeksione të mëparshme me viruse të zakonshme të ftohjes, edhe pse dihet që këta nuk krijojnë një kujtesë të fortë imune. “Ka disa të dhëna për qelizat T që disa nga përgjigjet imunitare janë ndër-reaktive,” thotë Klenerman. “Me fjalë të tjera, ju tashmë keni kujtesë imune, për diçka që është pak a shumë si SARS-CoV-2 dhe kujtesa rritet kur e ndesh”.
Për shembull, një ekip i drejtuar nga Daniela Veiskopf në Institutin La Jolla për Imunologji në Kaliforni dhe Katharina Schmitz në Qendrën Mjekësore të Universitetit Erasmus në Hollandë analizuan reagimet e qelizave T të 10 personave që ishin shtruar në spital rëndë, me Covid19. Në vazhdim të studimeve të tjera të fundit, ata zbuluan se të gjithë kishin qeliza T ndihmëse që i përgjigjen koronavirusit, dhe tetë kishin qeliza T vrasëse. Por ata gjithashtu gjetën qeliza T që i përgjigjen në SARS-CoV-2 tek dy nga 10 personat që kurrë nuk ishin infektuar me virusin. Kjo, përfundojnë ata, është “tregues i ndër-reaktivitetit për shkak të infeksioneve të kaluar me koronaviruse të zakonshme”.
“Kjo do të sigurojë një nivel mbrojtjeje, ndoshta,” thotë Klenerman. “Eshtë një pjesë e fshehur e gjëzës që duhet të zgjidhet, në të dy anën e qelizave T dhe B”.
Ndër-reaktiviteti është gjithashtu një shenjë pozitive që ne do të zhvillojmë një nivel të përgjigjes imunitare afatgjatë ndaj SARS-CoV-2, thotë Vabret, edhe pse nëse do të jetë aq i fortë sa për të parandaluar infeksionin, kjo nuk dihet ende. Mundet gjithashtu, në mënyrë paradoksale, ta përkeqësojë sëmundjen, thotë ai.
Në disa sëmundje të tjera virale, imuniteti ndër-reaktiv mund të shkaktojë interferenca imune ose atë që imunologët e quajnë “mëkat origjinal antigjenik”. Kjo ndodh kur sistemi imunitar bie përsëri në kujtesën e vet imune dhe nuk arrin të japë një përgjigje të re, pavarësisht se nuk e ka parë më herët atë patogjen. Kjo është një arsye e mundshme pse sëmundja është më e rëndë te njerëzit e moshuar, thotë ai, sepse ata kanë qenë të ekspozuar ndaj shumë viruseve të ftohjes gjatë jetës së tyre dhe trupat e tyre mund të kenë më shumë gjasa të bien përsëri në një reagim të mëparshëm imun. Sërish, nevojiten më shumë kërkime për ta kuptuar plotësisht këtë. Sa për ato raportime fillestare të njerëzve që ri-infektohen nga koronavirusi, ata tani duket se kanë qenë fallco-pozitivë. “Nuk ka asnjë shembull të konfirmuar të ri-infektimit”, thotë Vabret.
Deri më sot pra dimë për imunitet pesë javor, ndërkohë që përgjigja që kërkohet vërtet është nëse mund të zhvillohet imunitet për një apo dy vite.
Kjo mbetet e panjohura e madhe. Të mbijetuarit më të hershëm të Covid-19 janë vetëm shtatë muaj pas shërimit, kështu që të dish se sa do të zgjasë imuniteti është të hamendësosh.
“Ne kemi imunitet efektiv,” thotë St John. “Pyetja është, për sa kohë? Kjo është diçka që ne do të duhet të vazhdojmë ta monitorojmë. ”
“Do të kemi një përgjigje imunitare afatgjatë,” thotë Vabret. “A do të jetë e mjaftueshme kjo përgjigje imune për të parandaluar rikthimet? Ne nuk e dimë”.
Edhe nëse kujtesa jonë imune e koronavirusit është jetëshkurtër, ajo është ende një ndihmë e duhur, sepse ne mund të përmirësohemi. Imuniteti funksional hap derën e vaksinave për të nxitur dhe forcuar imunitetin. “Lloji i imunitetit që merrni nga një vaksinë nuk do të jetë domosdoshmërisht i njëjtë me imunitetin natyror,” thotë Klenerman. “Vaksinat janë krijuar për të gjeneruar nivele vërtet të larta të reagimit imunitar. Shpresojmë se mund të bëjmë edhe më mirë”. / New Scientist – Bota.al