Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, duke folur për takimin mes presidentit Ilir Meta dhe kreut të shtetit të Kosovës Hashim Thaci tha se takimi duhet sjellë përbashkimin e faktorit shqiptar në linjën e tryezës së propozuar nga ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Nazarko vlerësoi se situata aktuale në Ballkan ka vlerë globale dhe shqiptarët e bashkuar duhet të tregojnë peshën e tyre.
“ Supozoj se takimi eksploron rrugë përbashkimi aq më tepër se Kosova sot gjendet e ndarë dhe e papërgatitur para sfidave që ka. Nuk arrin dot konsensus për të miratuar ndihmat financiare ndërkombëtare; as per një platformë bisedimesh me Serbinë dhe ka humbur kryenegociatorin e gjithë proceseve në këto 29 vjet.
Dialogu në Bruksel, sipas një rezolute të OKB duhet të bëhej nga BE e cila kundrejt dy vendeve ka karoten përkatëse: zgjerimin ndaj Serbisë dhe liberalizimin e visave për Kosovën. BE ka fituar përkohësisht ndaj SHBA-ve, pasi takimi që planifikohej për në Uashington u anulua. Edhe Vucic ka luhatje, aq më tepër që ka fituar zgjedhjet e ndihet i fuqishëm dhe mundet që ai të ketë zgjedhur alternativë për zgjidhjen e Kosovës ne këmbim të anëtarsimit në 2026, diçka që mbase nuk iu ka pëlqyer rusëve sipas një hipoteze. Situata në Ballkan ka vlerë edhe në Europë e botë. Kosova fatkeqësisht mori shenja të dobëta për liberalizim të mundshëm të vizave nga Presidenti Makron”, tha Nazarko.
Në lidhje me faktin se numri dy i CDU-së Johann Uadephul ka reaguar për Kodin Zgjedhor, duke thënë se duhet që të miratohet pa ndryshim, Nazarko tha se duket se ndërkombëtarët prapë do ushtrojnë presion për të pasur një marrëveshje për Kodin Zgjedhor.
“Unë këtë reagim të deputetit gjerman e shoh si pjesë të vendosmërisë gjermane për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë që në 6 mujorin e presidences së tyre si e bëri të qartë dhe Kancelarja. Edi Ramës i duhet konsensusi I opozitës jashtëparlamentare, njerëzit e së cilës, ne këto ditë shohin se vota e tyre ka fuqinë më të madhe t mundshme. Ata thjesht po duan ta shesin shtrenjtë. Të thuash se Rama ka ndikim në gjithcka, është thjeshtëzim. Unë mendoj se do të arrihet një kompromis për Reformën Zgjedhore. Unë jam për ndryshim sistemi, madje edhe për krijim të një partie të re sot që madje fiton zgjedhjet. Kudo në lindjen ish komuniste janë zhdukur partit tradicionale. Deputetet opozitarë në parlament kanë në dorë integrimin europian të Shqipërisë”, u shpreh Nazarko.