MENU
klinika

"Rotacioni është i mundur"

Mentor Nazarko: Opozita mund të fitojë zgjedhjet edhe pas ndryshimeve kushtetuese

31.07.2020 - 16:42

Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 deklaroi se ndryshimet kushtetuese u bënë nga qeveria Rama me qëllim që PS-ja të maksimizojë votat në zgjedhje dhe të dalë forcë e parë.

Ai tha se në këtë pikë ku ndodhemi është e pamundur që kundërshtitë e opozitës të ndërkombëtarizohen, pra të marrin mbështetjen e të gjitha kancelarive europiane.

“Shqipëria ka një Kushtetutë që ndryshon që po bëhet gjithnjë e më e hollësishme, e shoh të vështirë që kodifikimi të modifikojë thelbin kushtetues. Ndryshimet kushtetuese prishin statusquo-në e mënyrës se si ndahen plaçkat e luftës, në këtë rast votat. Rama nuk ka pasur këtë shqetësim, ai do të përmirësojë pozitën e PS në këto zgjedhje duke synuar të jetë partia e parë. Kodifikimi që pritet të bëhet në Këshillin Politik e shoh të vështirë që të ndryshojë thelbin e këtyre ndryshimeve kushtetuese, që bëhen në mënyrë të njëanshme, është e pazakontë. Kjo do shndërrohet në temë, por e shoh të vështirë që kauza e opozitës të ndërkombëtarizohet. Pra nuk mund të shndërrohet në një qëndrim unanim të gjithë kancelarive botërore”, tha analisti.

Në këto kushte, Nazarko tha se opozita duhet të jetë më konstruktive pasi ka shanse të sjellë rotacion në zgjedhjet e vitit 2021.

“Ndryshimet kushtetuese nuk cenojnë ndonjë të drejtë themelore të individëve, rrisin barazinë e votës kështu që opozita duhet të përpiqet që nëpërmjet kodifikimit të modifikojë diçka ndonëse statusquo-ja është prishur. Kjo bën që partitë e vogla të humbin shanse për vota.

Opozita duhet të demonstrojë besim. Objektivi i çeljes së negociatave është interes kombëtar dhe çdo lloj destabilizimi si protestat janë mjete të provuara tashmë nuk besoj se ndryshojnë diçka në tavolinë. Besoj se duke ndjekur linjën konstruktive, pozitiviste do ketë më shumë benefite. Mund të fitojë edhe me këto ndryshime. Rotacioni është i mundur”,– tha ai.