Eksperti i shëndetit publik, mjeku Erion Dasho ka reaguar ndaj atyre personave që thonë se koronavirusi nuk ekziston. Në një postim në rrjetet sociale teksa i quan këta persona gjithollogë, mejku thotë se duhet një strategji e mirëmenduar komunikimi me publikun që duhet të ketë si komponent të vetin edhe komunikimin me këtë grup të rëndësishëm dhe jo publikimi i fakteve të frikshme nga spitali infektiv.
“A ekziston Covid?
Shumë persona nga ata që, sikundër Meri Popins, e quajnë veten “të rritur me mend në kokë” habiten me mohuesit e COVID-it. Gati 14 milion të prekur, mbi gjysmë milioni persona që kanë humbur jetën, bota në kaos prej më shumë se gjashtë muajsh nuk mjafton për të bindur një grup jo dhe aq të vogël të “pabindurish” se virusi ekziston. Për mendimin e këtyre të fundit, jemi duke përjetuar një përbetim mbarëbotëror për të kthyer njerëzit në robotë me anë të një çipi elektronik, një invazion të teknologjisë 5G, etj., etj., por jo atë që u duket kaq “normale” pjesës tjetër: pandeminë nga një virus i panjohur.
Ku bazohen konspiracionet?
Ndërsa për pjesën më të madhe të “racionalëve” konspiracionet bazohen tek injoranca, ekspertët e dinë se ato e kanë llesën tek MOHIMI. Një nga mekanizmat përshtatës që qenia njerëzore ka zhvilluar në mijëvjeçarë është injorimi apo mohimi i rrezikut, me qëllim mobilizimin e mekanizmave përballues (në anglisht ky term quhet “coping mechanism”). Në mjeksi, mohimi haset shpesh dhe është madje i vlefshëm në etapa të caktuara të sëmundjes, ashtu sikurse kthehet i dëmshëm në rrethana të tjera. Në parim, një frikë e përjetuar me intensitet më të lartë, kthehet në mohim që shpesh merr përmasa patologjike.
Ç’duhet bërë sot?
Duke qënë se mohimi e ka bazën tek frika, përpjekjet për t’u mbushur mendjen mohuesve se virusi ekziston duke i treguar atyre fakte akoma më të frikshëm nga përmasat që ka marrë sëmundja, duke i ftuar të vizitojnë pacientët në prag të vdekjes, duke bërë publike video-dëshmi, etj. nuk bëjnë gjë tjetër veçse thellojnë problemin në vend që ta zgjidhin atë. Ajo që funksionon në këto raste është një strategji e mirëmenduar komunikimi me publikun që duhet të ketë si komponent të vetin edhe komunikimin me këtë grup të rëndësishëm, i cili në se nuk bashkëpunon, ka potencialin të minojë përpjekjet e bëra për kontrollin e epidemisë.
Epidemia nga Covid po jep leksione edhe mbi rolin e gjithologëve. Ai është i përshtatshëm për të zbavitur turmat dhe për të luajtur me audiencat mediatike, por jo për të zgjidhur problemet.
Në rastin e epidemisë së Covid, një strategji komunikimi me publikun, e hartuar dhe zbatuar nga profesionistë ka potencialin të ndryshojë rrjedhën e pandemisë në botë dhe të epidemisë në Shqipëri.”– shkruan mjeku.