MENU
klinika

Bajrami i vitit 1936

‘Mjerim, opium qiellor dhe një gjuhë që nuk kuptohet’

06.07.2020 - 06:19

Bajrami i vitit 1936. Shqipëria e kohës dergjej si një prej vendeve më të prapambetura në Evropë. Përpjekjet për modernizimin e shtetit shqiptar dhe lidhjet gjithnjë e të afërta me Italinë nuk po e ndryshonin aspak peisazhin e mjeruar social.

Dhe pena e shkrimtarit të ri, Nonda Bulka (1906-1972) përkap një nga këto momente të jetës shqiptare të kohës, shkruan Konica.al.

Sikundër edhe shkrimtarë të tjerë të viteve ’30, Bulka protestonte për gjendjen e mjeruar në vend, por edhe obskurantizmin e feve.

Në ditën e Bajramit të vitit 1936, ai kontrastonte jetën e rëndë të ‘muhamedanëve’, e cila nuk ndryshohej aspak nga pëshpëritjet fetare.

Duke gjykuar aktualitetin e skicës realiste të shkrimtarit nga Leusi i Përmetit, portali Konica.al sjell për lexuesit këtë shkëputje:

BAJRAMI

Jemi në Bajram. Ditë e shenjtë, kur festohet profeti më i madh i Lindjes. Bota muhamedane anembanë kremton plot gëzim dhe lumturi. Xhamitë janë plot me burra pa këpucë. Hoxhallarët i luten profetit në gjuhëra që s’i kupton publiku. Ashtu si priftërinjtë katolikë; ashtu si dikur ortodoksët e Shqipërisë. Sot ortodoksët e Shqipërisë i mësuan Krishtit dhe Perëndisë gjuhën shqipe.

Por le të kthehemi te dita e Bajramit. Ashtu si në Krishtëlindjet, që ka dy lloj të krishterë, ashtu dhe bajramlinjtë ndahen më dysh: ata që hanë bakllava dhe ata që nuk hanë as bukë. Dhe unë vizatova këta të fundit.

Një shtëpi e vjetër, e shkretuar, e errët, me mure të zez’ prej tymit. Një grua e re, tepër e re, me dy fëijë, e bardhë si bora; s’kish parë kurrë dritën e diellit se ferexhenë e mbante ende. Burri i saj ishte shërbëtor në një zyrë. Dy napolona në muaj. Me ato ushqeheshin gjashtë veta. Dhe fëmijët s’kishin këpucë për ditën e Bajramit. Prandaj rrinin të mërzitur. Pashë vobektësinë dhe dëshpërimin në botën muhamedane, ashtu siç e pashë në botën e krishterë.

Dy fe të ndryshme! Por jo dy fukarallëke. Fukarallaku është po ai, për muhamedanin, për të krishterin, për çifutin ose budistin. S’ka fukarallëku as fe, as kombësi.

Hoxhallarët dhe priftërinjtë i thonë popullit kur vuan: ‘Ki besim te zoti dhe do të shpëtosh’. Dhe i vobekti beson; por nga hallet nuk shpëton. Megjithatë beson; beson edhe kur i del shpirti nga uria. Këtu qëndron dobësia banale e mendjes njerëzore. Këtu qëndron përulja, rajallëku i shpirtit të njeriut kundrejt frikës së përallave shekullore. Sa e sa njerëz në botë rrojnë të dehur prej opiumit qiellor!

Arbënia, 9 janar 1936

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit