MENU
klinika

Lajçak: I hapur për një bashkërendim më të afërt

“Motori i përbashkët SHBA-BE nuk ka funksionuar”

15.07.2020 - 08:10

I dërguari i posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, tha të martën se është i hapur për një bashkërendim më të afërt me Shtetet e Bashkuara në procesin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, meqë siç tha ai, muajve të fundit ky bashkërendim nuk ka qenë në nivelin e duhur.

“Për fat të keq është një sekret i hapur që motori i përbashkët Bashkim Evropian dhe Shtete të Bashkuara nuk ka funksionuar aq rrjedhshëm muajt e fundit sikur vitet e kaluara. Kjo nuk vlen për të gjitha nivelet por do të ishte gënjeshtër të mohohej kjo situatë, e cila ka çuar në konfuzion dhe na ka bërë të dy palët më të dobët. Shpresoj që tash mund të afrohemi sërish e të bashkërendohemi me Shtetet e Bashkuara në anën tonë. Dera ime ka qenë gjithmonë e hapur dhe jam gjithmonë gati të përgjigjem në telefon kur Washingtoni thërret, kështu që mezi pres një bashkërendim të afërt për të arritur ambiciet tona të përbashkëta”, tha zoti Lajçak.

Ai i bëri këto komente në një video konferencë me temën “E ardhmja e bashkërendimit transatlantik në bisedimet Kosovë – Serbi”, e cila u zhvillua dy ditë pas rifillimit të bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Megjithatë zoti Lajçak përsëriti qëndrimin e tij se bisedimet duhet të udhëhiqen nga Bashkimi Evropian meqë siç tha ai “Kosova dhe Serbia janë pjesë e Evropës, dhe të vetmen rrugë për të arritur të ardhmen e tyre brenda Bashkimit Evropian e kanë përmes normalizimit të marrëdhnieve ndërmjet vete”.

“Historia ka dëshmuar se ne jemi më së miri kur punojmë së bashku, pra Bashkimi Evropian me Shtetet e Bashkuara, por me Bashkimin Evropian në ulësen e shoferit për arsyet që sapo i përmenda”, tha zoti Lajçak.

Analisti amerikan, Michael Carpenter, tha se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë synime të përbashkëta strategjike në bisedimet Kosovë – Serbi, por viteve të fundit diskutimet sikur ai për shkëbim territoresh i kanë larguar këto dy fuqi nga këto synime të përbashkëta.

Ai shprehu bindjen se veprimet e njëanshme nga cilado palë, nuk do të funksionojnë në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Mendoj se ideja që të procedojmë në rrugë paralele, ku Shtetet e Bashkuara përqendrohen në lidhje ekonomike, investime, lidhje transporti dhe komunikimi, ndërkaq Bashkimi Evropian përqendrohet në strukturën e përgjithshme politike mund të funksionojë vetëm për periudhë të shkurtë kohore. Këto rrugë paralele duhet të integrohen nëse duam të kemi sukses”, tha zoti Carpenter.

Analisti tjetër amerikan, Daniel Serwer, tha se duhet gjetur një metodë e përbashkët për mbikqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj se ka nevojë për një mekanizëm të posaçëm për këtë qëllim, një që që mund të jetë mekanizëm i përbashkët amerikano – evropian e që vërtetë është i aftë të kuptojë në hollësi ndonjë mungesë të zbatimit, nëse palët janë kaq rezistente sa kanë qenë deri tash”, tha zoti Serwer.

Kryeministri i Kosovës dhe ai Serbisë, Aleksandër Vuçiç, par dy ditësh zhvilluan një video takim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian me të cilin u shënua edhe rifillimi i bisedimeve të pezulluara që nga vjeshta e vitit 2018, ndërkaq pasnesër të dy do të takohen në Bruksel.

Ditë më parë, Kosova dhe Serbia diskutuan në një video konferencë të organizuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe aty u pajtuan për rifillimin e bisedimeve por nuk pajtuan në asnjë pikë për rrugët e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

Plani për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian u publikua pak ditë pasi që Prokuroria e Posaçme për Kosovën me seli në Hagë, publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Publikimi i akuzave bëri që të dështojnë planet për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë me 27 qershor, me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Bisedimet Kosovë – Serbi të ndërmjetësuara nga BE-ja që filluan në vitin 2011 siguruan një varg marrëveshjesh por nuk përmbushën synimin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve./VOA

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!

Fytyra të reja por detyrime të njëjta

Analiza: “Ngec” sërish dialogu Beograd-Prishtinë