MENU
klinika

"Loja e minutës së fundit dhe pazaret deri më 30 korrik"

Nazarko: Rama, presion nga ndërkombëtarët për 5-Qershorin

21.07.2020 - 17:55

Analisti Mentor Nazarko, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, teksa komentoi vizitën e kryetarit të PD-së Lulzim Basha në Kosovë, u ndal dhe tek zhvillimet politike në vend, kryefjalë e të cilave është reforma zgjedhore.

Nazarko pohoi se vizita e Bashës në Kosovë vjen në kohën e duhur. Duke u ndalur tek politika e Tiranës, Nazarko komentoi edhe mbledhjen e djeshme të Këshillit Politik, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, kreu i ekzekutivit ka presione jopublike nga ndërkombëtarët sa i përket propozimeve për marrëveshjen e 5 qershorit, për reformën zgjedhore. Mes të tjerave Nazarko foli për pazaret që sipas tij palët politike do të bëjnë deri më 30 korrik, datë në të cilën thuhet se do të miratohet marrëveshja në Kuvend.

  • PJESË NGA INTERVISTA E NAZARKOS

Si e shihni vizitën e Bashën në Kosovë në këto momente?
Vizita e Bashës në Prishtinë ndodh në kontestin e një procesi që pritet të nisë apo do të nisë ndaj Thaçit dhe UÇK, qeverise së dobët, etj. Nisur nga mesazhet ishte një vizitë vëllazërore- ju vijmë në shtëpi në kohë pandemie: Pa frikë; pa drojë, pa sharë kryeministrin, etj. Zoti Basha distancohet nga paraardhësi i tij Berisha që ka probleme me Thaçin. Basha nuk ishte pozicionuar në mënyrë të spikatur si Berisha për ndërrimin e kufijve. Ai është kujdesur që të takojë të gjithë ndjeshmëritë politike atje. Që të bëjë të kuptohet se PD është e gjithëpranuar në Kosovë jo si Rama qe ka probleme me Haradinajn. Është përpjekur që të bëjë vizitë si një shtetar. Ai është kujdesur që të diferencohet nga Rama për çështjen e taksës së Rrugës së Kombit. është një vizitë e kryer në kohë pandemie, duhet vlerësuar. Ai nuk ka mbajtur ato qëndrime siç bëjnë politikanët tanë kundër shoqi-shoqit. Është vizitë në kohën e duhur dhe me mesazhet e duhura.

Çfarë prisni të ndodhë në Kosovë?
S’kam informacione të them se cili do të jetë evoluimi i mundshëm për qasjen europiane. Duhet theksuar se takimi i parë ishte në Shtëpinë e Bardhë. E shoh të vështirë që amerikanët të përfshihen në këtë nivel dhe me një projekt të caktuar në kohë fushate. E shoh të vështirë që të arrihet ‘një konvergim i nevojshëm’,- si thotë Bajden, apo ekspertë të fushës. Fokusi sot është tek evropianët. Kam lexuar se ata duan që ta mbyllin brenda këtij viti. Ndërkohë që politika kosovare është e alarmuar. Alternimi i takimeve politike-teknike mund çojnë që këto negociata të bëhen si ato të shkuarat, të zgjaten- thonë këta zërat alarmuar. Duket qartë që ka një pabarazi, të paktën në komunikim. Zoti Vuçiç do të tregojë se dominon në këtë dialog, por s’ besoj se është kështu. Kosova i ka mundësitë, nëse tregon pjekuri, harmonizim të qëndrimeve që të arrijë maksimumin, duke luajtur me atë se ‘nuk ka çfarë të humbë’. Mund të arrijë maksimumin në këto negociata.

Në mbledhjen e Këshillit Politik pamë një kryeministër që doli me deklarata të qeta. Çfarë po ndodh me situatën?
‘Nuk pati tym të bardhë’ nga oxhaku i Këshillit. Rama ka dashur të dëgjojë propozimet e opozitës, në vetë të parë dhe t’ i flasë po ashtu. Ai ka dashur t’i tregojë opozitës s’e dëgjon në vetë të parë. E ka ditur që Basha ka përdorur si pretekst vizitën në Kosovë për të thënë se; “Nuk jam, jo se i shmangem dialogut”. Basha ka treguar idenë se propozimet për Kushtetutën duhet të merren në konsideratë në këtë institucion faktik, jo juridik, siç është Këshilli. Rama duhet të ketë presione ndërkombëtare, me gjasa, që nuk janë publike. Ka një moment që nuk analizohet në mënyrën e duhur, që është fati, loja politike që bën sot opozita parlamentare. Në momentin kur ata kanë jetuar disa kohë nën fokusin e prozhektorëve, sot po bëjnë lojën e tyre maksimale për të nxjerrë përfitimin më të madh të mundshëm. Kjo i bën që ata të kenë ndikim. Ata luajnë me të gjitha palët. Ramës i leverdis që të bëjë vallen e tyre. Ndryshimet kushtetuese u propozuan nga 28 deputetë, por Rama është zëri më i fortë që i mbron.

Sinjalet që vijnë nga SHBA dhe BE, që marrëveshja duhet të miratohet, sa të forta janë sipas jush?
Nëse i referohemi pjesës publike, duket që ndërkombëtarët kujdesen ta ruajnë sovranitetin e Shqipërisë, “mos e prekni marrëveshjen!”. Sot në lidhje me çeljen e negociatave me BE, zërat më të fuqishëm janë kancelaritë. Kur vjen puna për mesazhet jopublike, shihet nga vajtja e Ramës në Këshill se ekziston ky presion. Ndërkombëtarët mendoj se i thonë Ramës: “Të lutem, mos e zgjasni!”. Sot do ketë dhe takim mes Ramës dhe Murrizit.

A e favorizojnë Ramën këto mesazhe?
S’e favorizojnë. Por loja e minutës së fundit është interesante. Po bëhet lojë deri më 30 korrik. Kjo ka impakt elektoral. Edhe PS dhe PD luajnë. Nga tonet që kanë palët në publik, unë vë re se ka përpjekje për protagonizëm. Ky konstruktivitet është i shëndetshëm. E pres një zgjidhje që mund të ngjajë që t’i kënaqë te gjithë. Se di se çfarë pazari mund të luhet. Faktor interesant janë ata deputetë të opozitës parlamentare. Ata mund të përpiqen të tentojnë të afishojnë në këto zgjedhje një listë të tyre. Ata mendojnë se kanë një zë në këtë kapitull. Mendoj se ata janë në origjinë të kësaj që po ndodh.

PS është e favorizuar si partia më e madhe. Është në një pozitë të tillë, sepse luan qoftë me Bashën, duke i thënë se; “Do e bëjmë marrëveshje, apo ta bëjmë me LSI?!”, më pas i thonë LSI; “Do e bëjmë marrëveshjen, apo ta bëjmë me Bashën?!”. Është kohë pazaresh. Të gjithë po bëjnë pazaret e tyre.
Kjo narrativë kunder PS është ngritur mbi atë që; ‘nuk i kemi votat në Kuvend’….
Le të imagjinojmë sipas narrativës që ka pasur PD dhe LSI se- “Ata që janë aty janë të blerë nga Rama!”.- është propagandë banale politike. Po çfarë i pengon ata që të mos bëjnë tani çfarë do Rama?! Ata sot e kanë çmimin më të lartë në Pazar ; kanë arritur pjekurinë maximale pasi paraqiten si grup. Ata po thonë se; “Ne jemi përfaqësues, jemi të ligjshëm në këto karrige”. Kanë paksa të drejtë, pasi ka pjesë të publikut që nuk ndihen të përfaqësuar as nga PS dhe as nga PD.

Një koment në lidhje me kufizimet e vendosura nga qeveria për lokalet e natës. Si ju duket ky vendim?
E kuptoj dramën e madhe që përjetojnë muzikantët. E quaj tërësisht të ligjshëm vendimin, pasi këto aktivitete janë ato që mbledhin numrin më të madh të njerëzve. Njerëzit në këto ambiente harrojnë distancimin. Sa i takon muzikës, s’e di si ndikon për përhapjen e COVID (Qesh). E quaj tërësisht të ligjshme dhe do duhet t’i mirëkuptojmë këta miq, muzikantët, se në këtë periudhë COVID-i nuk ka ndërmend që të tërhiqet lehtë.