Me përjashtim të Bundesligës gjermane dhe Ligue 1, të cilat e kanë mbyllur tashmë sezonin, 3 kampionatet e tjera elitare të Europës janë futur në një fazë mjaft të nxehtë të tyre. Por pavarësisht kësaj, shumica e skuadrave e kanë siguruar tashmë një biletë për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Dhe si për ironi të fatit, shumica dërmuese e tyre janë ato që i kemi parë gjithmonë në grupet e Champions të paktën në 8 vitet e fundit. Janë plot 8 ekipe që tashmë kanë nisur plane për të marrë pjesë në ngjarjen më të rëndësishme të klubeve në Europë, kompeticion ku nuk kanë munguar që prej vitit 2013.
Bëhet fjalë për skuadra elitare të kontinentit si Barcelona, Real Madrid, Manchester City, Bayern Munich, PSG dhe Juventus, ndërkohë që Benfica ka ende kohë për të mësuar nëse do të kualifikohet me play-off apo direkt.
Gjithsesi, ajo që bie në sy është fakti që në këtë hulumtim interesant mungojnë kampionët në fuqi të kompeticionit, Liverpool. Të kuqtë po shkëlqejnë këtë edicion, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për vitet e shkuara, ku pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve ishte kthyer në “mollë të ndaluar”.
Megjithatë, kjo nuk do i ndalojë që të rregullojnë reputacionin në Europë, pasi me një trajner si Jurgen Klopp, ëndrrat shpesh realizohen. Jashtë kësaj liste gjenden edhe skuadra që kanë shkruajtur një pjesë të historisë së turneut, si Ajax e Dortmund.
Të konsideruara edhe si “shtëpia e talentëve”, dy ekipet nuk kanë mundur të jenë gjithmonë në garë për të fituar titullin me veshë të mëdhenj të paktën në 8 edicionet e fundit. Të njëjtin fat kanë pasur edhe 7 herë fituesit e këtij turneu, Milan, që sipas gjasave, edhe këtë vit do të bëjnë mungesë.