MENU
klinika

Fton krerët e opozitës jashtëparlamentare

“Në tryezë do të jetë edhe Rama”, Gjiknuri njofton mbledhjen e Këshillit Politik

17.07.2020 - 16:54

Ditën e hënë ose të martë pritet të mblidhet tryeza e Këshillit Politike me përfaqësues të qeverisë Bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore Damian Gjiknuri dhe kryeministri Edi Rama.

Gjiknuri ka njoftuar se mbledhja do të mbahet në datat 20 ose 21 korrik, në orën 11:00, në mjediset e pallatit të Kongreseve dhe tema e diskutimit do të jenë ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Po ashtu Gjiknuri ka ftuar kryetarët përkatës të opozitës jashtëparlamentare të marrin pjesë në këtë tryezë.Pak më herët edhe Opozita e Bashkuar konfirmoi rinisjen e punës së Këshillit Politik por nuk është bërë e ditur se kush do të jetë përfaqësues i tyre.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar kolegë,

Sikurse jeni në dijeni, përmes Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Shqipërisë ka filluar shqyrtimin e projektligjit për ndryshime në Kodin Zgjedhor, dokument i depozituar nga një grup deputetësh të maxhorancës dhe që përmban produktin e dakordësuar në tryezën e Këshillit Politik.

Gjithashtu, paralelisht përmes Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare të cilët propozojnë ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që lidhen me hapjen e listave zgjedhore dhe vendosjen e një pragu kombëtar.

Duke ndjekur deklarimet e opozitës jashtëparlamentare në lidhje me procesin e shqyrtimit nga Kuvendi të propozimit të deputetëve të opozitës parlamentare, për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin për të ballafaquar pikëpamjet tona përmes dialogut konstruktiv, ju propozoj:

Mbledhjen ditën e hënë apo të martë (përkatësisht në 20 ose 21 Korrik, sipas disponimit tuaj), ora 11:00, të një tryeze të Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Duke ju informuar se në këtë mbledhje Partia Socialiste do të përfaqësohet përveçse nga unë edhe nga kryetari Rama, ju bëj me dije se në rast dëshire edhe prezenca e kryetarëve përkatës të opozitës jashtëparlamentare, do të ishte plotësisht e mirëpritur nga ana jonë.

Vendi i zhvillimit të tryezës propozoj të mbetet i njëjti në mjediset e Pallatit të Kongreseve.

Në pritje të përgjigjes suaj,

Faleminderit

Damian Gjiknuri