Negociatorët e Bashkimit Europian do të propozojnë një buxhet më të vogël 7-vjeçar, por do të mbajnë objektivin prej 750 miliardë euro të fondit të rimëkëmbjes nga koronavirusi, sipas burimeve për Reuters. Buxheti më modest 2021-2027, krahasuar me planin fillestar të Komisionit Europian, synon të bindë një grup të anëtarëve konservatorë të Veriut, të udhëhequr nga Hollanda, që të mos kundërshtojnë planin e rimëkëmbjes.
Sipas burimeve, Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, do të propozojë një buxhet prej 1.05 -1.094 trilionë euro, nga propozimi i Komisionit Europian prej 1.1 trilionë euro. Vendet e pasura që janë kontribues neto tek buxheti, do të përfitojnë ende nga rikthimi i fondeve, pavarësisht daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian, që ka lënë një hendek të financimit për 27 vendet anëtare.
Ndërkohë që ky vendim mund të pengojë ambiciet e BE për fusha si mbrojtja dhe hulumtimi, arritja e një marrëveshjeje mbi fondin e rimëkëmbjes së koronavirusit shihet si më e vlefshme ekonomikisht. Michel, që drejton samitet e Bashkimit Europian, ka folur me liderët në mënyrë individuale dhe do të bëjë propozimin në javën e ardhshme, me shpresën që qeveritë të mund të bien dakord në një samit gjatë Korrikut, sipas burimeve.