Linjat ajrore dhe turistike janë të shqetësuara se ndryshimet e rregullave të udhëtimit po shuajnë shanset e tyre për të fituar diçka nga ky sezon problematik.
Linjat ajrore, hotelierët dhe operatorët turistikë në Evropë janë të shqetësuar se ndryshimet e papritura të rregullave të udhëtimit për shkak të koronavirusit nga qeveritë, po shuajnë shanset e tyre për të fituar diçka nga një sezon i shkatërruar pushimesh.
Vendimi i papritur i qeverisë britanike të shtunën për të shtuar Spanjën në listën e saj të vendeve “me rrezik”, duke detyruar dhjetëra mijëra britanikë që tashmë pushojnë në Spanjë të karantinohen për 14 ditë pas kthimit të tyre, dhe planet pezull të dhjetëra mijëra të tjerë, i ka dhënë një goditje të madhe shpresave se industria e udhëtimeve mund të jetë në gjendje të kompensojë disa nga humbjet e saj masive nga pandemia.
Britania dhe fqinjët e saj evropianë kohët e fundit hoqën ndalimet për udhëtime jashtë vendit për turizëm, në përpjekje për t’u rikthyer në një farë normaliteti. Linjat ajrore evropiane dhe agjencitë e udhëtimeve lobuan fuqishëm për ta bërë këtë.
“Kjo do të shkaktojë kaos të madh për agjencitë e udhëtimit pasi ato janë në pikun e sezonit tani,” thotë eksperti i turizmit, Paul Charles.
“Koha nuk mund të ishte më e papërshtatshme. Me nisjet këtë fundjavë, ka gati 2 milionë britanikë në Spanjë. Është gjëja e fundit që kompanitë e udhëtimit duan të dëgjojnë për shkak të vëllimit të madh të pushuesve të prekur. Dhe do të jetë një goditje e madhe për njerëzit atje, të cilët tani do të duhet të bëjnë karantinë, ose edhe për ata që do të fluturojnë për pushime, “shtoi ai.
Britania nuk është e vetmja që po këshillon kujdesin. Të shtunën Irlanda e hoqi Britaninë nga listë e vendeve “të sigurta”, duke u thënë qytetarëve të saj të shmangin të gjitha udhëtimet thelbësore në atë vend. Franca ka lëshuar një paralajmërim për udhëtimiet në Spanjë. Qeveria franceze nuk e ka mbyllur kufirin me Spanjën, por një zyrtar francez i tha Zërit të Amerikës se Parisi po e shqyrton këtë mundësi.
Edhe Norvegjia po këshillon kundër udhëtimeve në Spanjë.
Lëvizjet e papritura ka të ngjarë të pengojnë udhëtarët në përgjithësi të rrezikojnë udhëtimet në vendet e tjera për shkak të mundësisë së kufizimeve të reja që mund të imponohen me pak paralajmërim.
Kjo u theksua nga drejtuesja e qeverisë skoceze, Nicola Sturgeon, e cili tha në Twitter, “Kjo përforcon idenë se situata mund të ndryshojë shumë shpejt me një njoftim të menjëhershëm. Këshilla ime është të jesh i kujdesshëm në lidhje me udhëtimet jashtë vendit që nuk janë thelbësore.”
Pothuajse 40 vende në të gjithë botën kanë raportuar rekorde një-ditore në infeksionet me koronavirus gjatë javës së kaluar, dhe frika e një valë të dytë të pandemisë në Evropë po rritet.
Vendimi i qeverisë britanike për Spanjën erdhi pa paralajmërim, duke kapur jashtë vendit vetë ministrin e transportit, Grant Shapps, i cili po pushon në Spanjë me familjen e tij. Zyrtarët britanikë thonë se nuk kishin mundësi tjetër përveç se të shtonin Spanjën në listën e kuqe pas një rritje të konsiderueshme të rasteve të koronavirusit në vendin e Mesdheut. Spanja regjistroi 2,255 raste të reja të premten, pas 2.615 rasteve të regjistruara të enjten.
Autoritetet spanjolle thonë se kanë identifikuar 281 shpërthime aktive me një të tretën e tyre të shkaktuar nga grumbullimet shoqërore ose familjare. Klubet e natës janë identifikuar gjithashtu si pika të nxehta. Zyrtarët spanjollë paralajmërojnë një valë të dytë të mundshme të infeksioneve, me rajonin verilindor të Katalonjës ndër më të prekurit. Katalonja ka mbyllur aktivitetet gjatë natës për dy javë.
Sidoqoftë, qytetet e mëdha larg verilindjes po shohin gjithashtu shtim të rasteve të konfirmuara. Rajoni i Murcias izoloi të enjten 30,000 njerëz në qytetin Totana, duke ndaluar këdo që të hynte ose të largohej pasi 55 njerëz testuan pozitivë pas një dalje në një klub nate. Kufizime të lëvizjeve janë vendosur edhe në Zaragoza dhe Pamplona.
“Kemi shpërthime të mëdha të infektimit. Mund të ketë një valë të dytë. Do të duhet të shohim se çfarë ndodh në javët e ardhshme”, tha Maria José Sierra, zëvendës drejtore e shëndetësisë për emergjencën në Spanjë.
“Mbrojtja e shëndetit publik është përparësia jonë absolute dhe ne e kemi marrë këtë vendim për të kufizuar çdo përhapje të mundshme në Mbretërinë e Bashkuar”, tha përmes një deklarate Departamenti i Transportit në Britani. “Ne kemi qenë gjithmonë të qartë se do të vepronim menjëherë për të hequr një vend [nga lista e përjashtimeve të karantinës] aty ku do të ishte e nevojshme,” thuhet më tej në deklaratë.
Megjithatë, linjat ajrore dhe bizneset e udhëtimit po reagojnë me zemërim. Shoqëria ajrore British Airways tha se ndryshimi “nuk mund të mos ketë ndikim në industrinë tashmë të goditur të aviacionit”.
EasyJet, një nga linjat ajrore më të mëdha të Evropës, tha “Ne jemi të zhgënjyer që qeveria ka vendosur të imponojë karantinën për ata që udhëtojnë në të gjithë Spanjën pasi rritja e rasteve të koronavirusit është rajonale dhe jo në të gjithë vendin.”
Shoqata e Operatorëve të Aeroportit në Britani tha se lëvizja “do të dëmtojë më tej atë që tashmë është një rifillim i brishtë i sektorit të aviacionit i cili vazhdon të përballet me sfidën më të madhe në historinë e tij”.
Drejtuesit e linjave ajrore britanike dhe homologët e tyre thonë se vendimet e papritura do të pengojnë planet për pushime në të gjithë kontinentin, me pushuesit që kanë frikë nga njoftimet për ndryshimet e rregullave ndërsa mund të jenë me pushime në një vend tjetër.
“Ky nivel i pasigurisë dhe konfuzionit është i dëmshëm për biznesin”, tha Andrew Flintham, drejtori menaxhues i TUI, operatori më i madh i turizmit në Britani. TUI njoftoi se do të anulojë të gjitha rezervimet për në Spanjë.
Lois Stothard, nga Jork Yorkshire, i tha BBC-së se ajo kishte prenotuar pushime në qytetin spanjoll të Sevijës dhe do të fluturonte të dielën me të dashurin e saj, por tani do të duhet të anulojë udhëtimin.
“Unë jam një punonjëse esenciale- jam mësuese – dhe i dashuri im ka angazhime në punë, kështu që ne nuk mund të karantinohemi për 14 ditë kur të kthehemi. Nuk mund të marrim paratë mbrapsht dhe për të ndryshuar datat, kompania kërkon dyfishin e asaj që unë kam paguar tashmë. Jam shumë e zhgënjyer dhe e mërzitur pasi kishim paketuar dhe ishim bërë gati për të shkuar”, tha ajo.
Disa ekspertë të udhëtimit thonë se vendimi për të shtuar Spanjën në listën e kuqe duhet të ishte marrë më herët dhe shumë përpara fundjavës.
“Pse nuk u mor ky vendim 48 orë më parë, kur ishte e qartë se kishte një problem me Spanjën, dhe para se dhjetëra mijëra pushues në Mbretërinë e Bashkuar të fluturonin të premten kur filluan pushimet verore?” pyet Rory Boland, redaktori i revistës së udhëtimit Which.
Ankthi është duke u shtuar në të gjithë Evropën se së shpejti kontinenti mund të kthehet në epiqendrën e stuhisë së koronavirusit. Zyrtarët thonë se të rinjtë e kanë ulur kujdesin e tyre pas heqjes së kufizimeve.
“Ne kemi fshirë pjesën më të madhe të përparimit të arritur gjatë javëve të para të daljes nga izolimi,” tha ministria franceze e shëndetësisë.
Zyrtarët francezë të alarmuar thonë se disa nga të rinjtë që testojnë pozitivë për virusin nuk janë izoluar.
Ka shqetësime edhe në rajonin italian të Lacios, që përfshin Romën. Zyrtarët rajonalë paralajmëruan javën e kaluar se mund të ketë një izolim të dytë pasi rastet e koronavirusit filluan të rriten përsëri. Autoritetet paralajmëruan që kufizimet për të frenuar përhapjen e virusit mund të rivendosen nëse infeksionet vazhdojnë të shtohen. Ishin 17 raste të reja të konfirmuara të dielën e kaluar, me 10 në mesin e njerëzve që u kthyen në vend nga jashtë.
Komisioneri shëndetësor i Lacios, Alessio D’Amato, u bëri thirrje njerëzve të vishin maska në hapësira publike sipas udhëzimeve.
“U bëj thirrje të përdorni maskat, përndryshe, do të duhet të izolohemi përsëri. Ne nuk mund të kthehemi mbrapa dhe të shpërdorojmë të gjitha përpjekjet e bëra deri më tani, “tha ai.(voa)