MENU
klinika

Trafik droge e krijim organizatash kriminale

OFL zbret në Shkodër, ju kërkon pasurinë 4 të dënuarve

14.07.2020 - 11:16

Operacioni Forca e Ligjit ka shënjestruar katër personazhe të botës së krimit në Shkodër, të dënuar për trafikimm lëndësh narkotike dhe krijim organizatash kriminale.

Mësohet se OFL iu kërkon burimet e pasurisë të dënuarve Ladio Braci, Artur Ndoja, Kristian Selimi, Abedin Bajraktari.

NJOFTIMI I OFL

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon pa ndërprerë Operacioni Forca e Ligjit.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

L. B., banues në Shkodër, i dënuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Organizata Kriminale”;

A. N., banues në Shkodër, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;

K. S., banues në Shkodër, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

A. B., banues në Shkodër, i dënuar për veprat penale “Grupi i strukturuar kriminal”, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.