MENU
klinika

Basha del me propozim pas takimit me aleatët

Opozita e Bashkuar do mbështesë hapjen e listave 100%, ja kushti!

24.07.2020 - 17:06

Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur pas mbledhjes me aleatët duke treguar dhe qëndrimin e Opozitës së Bashkuar në lidhje me ndryshimet Kushtetuese.

Ai tha se Opozita e Bashkuar është për hapjen 100 % të listave por me kushtin që koalicionet të qëndrojnë kështu siç janë dhe përllogaritja e mandateve të vazhdojë siç është. Qëndrimi tha Basha do të shtrohet në Këshillin Politik.

“Së pari dua të shpreh fare qartë qëndrimin e Opozitës së Bashkuar se marrëveshja e 5 qershorit e cila më në fund u votua dje në Kuvendin e Shqipërisë është një bazë për garantimin e zgjedhjeve normale, nuk është ajo që dëshironim ne por një marrëveshje politike e arritur me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë të cilëve dua t’iu shpreh mirënjohjen. Përshëndes dhe qëndrimin e djeshëm të tyre.

Opozita e Bashkuar është e vendosur të refuzojë çdo propozim unilaterak për ndryshime kushtetuese që prekin çështje lidhur me zgjedhjet. Grupi i punës së Këshillit Politik është vendi i vetëm ku duhet diskutuar për një sërë çështjesh të pazgjidhura si rekomandime të ODIHR. Por duke qenë se PS dhe kryetari i saj kanë ndryshuar disa herë qëndrim para dhe pas 5 qershorit dhe tani po iu shesin shqiptarëve listat e hapura si shkakun e ndryshimeve të njëanshme ne kemi mandatuar sot përfaqësuesit tanë Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili që sa i takon kësaj çështjeje të paraqesin qëndrimin e Opozitës së Bashkuar si vijon: Opozita e Bashkuar do mbështesë hapjen 100% të listave me kushtin që koalicionet të vazhdojnë siç janë sot dhe përllogaritja e mandateve siç është sot. Ky propozim do shtrohet sot në Këshillin Politik”, deklaroi kreu i PD.

Basha shtoi se me propozimin që sot do të shtrohet në tavolinën e punës sot, opozita tregon propozimet me një sinqeritet, pa axhendë të fshehur. “Kam qenë mbështetës i sistemit maxhoritar, me dy dhoma. Por për hir të konsensusit po hedhim këtë hap, të propozimit të hapjes me 100% të listave me kushtin që koalicionet të mbeten siç ekzistojnë sot në ligj dhe formula e ruajtjes së mandateve”, tha Basha.