Pandemia e ka ulur normën e shfrytëzimit të kapaciteteve të industrinë shqiptare në nivelin më të ulët historik. Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues rezultoi në nivelin 64% për tremujorin e dytë të vitit.
Rënie të ndjeshme shënuan edhe treguesit e tjerë të vrojtuar periodikisht nga Banka e Shqipërisë, si gjendja financiare, kontratat porositëse nga eksportet dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm.
Shfrytëzimi i kapaciteteve ka rënë në mënyrë drastike për të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, në reflektim të goditjes së pandemisë dhe mbylljes së ekonomisë.
Ndërtimi është sektori me shfrytëzimin më të ulët të kapaciteteve, në nivelin e 56.6%. Ky tregues ka rënë nën mesataren historike me 7.3 pikë përqindje.
Bizneset e tregtisë dhe shërbimeve kanë një shfrytëzim më të larta të kapaciteteve, por edhe këta sektorë janë pranë niveleve të tyre më të ulëta historike.
Bizneset e përfshira në aktivitetet tregtare rezultojnë të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre prodhuese me normën më të ulët të shënuar në kohë, rreth 65%. Në sektorin e shërbimeve norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi pranë vlerës 70.2%, rreth 6 pikë përqindje poshtë mesatares historike të saj.
Vrojtimi periodik i Bankës së Shqipërisë tregon se për tremujorin e dytë treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi rënie me mbi 50 pikë, duke shkuar më poshtë se kurrë më parë, që nga viti 2002, kur Banka e Shqipërisë nisi matjen e tij. Pothuajse të gjithë sektorët kanë prekur nivelin më të ulët të këtyre 18 viteve.