MENU
klinika

Si do të votohet për 3 ditë?

Përfundon sot fushata në Maqedoninë e Veriut

12.07.2020 - 11:13

Pas 20 ditësh fushatë zgjedhore në të cilën partitë politike dhe koalicionet prezantuan ofertën e tyre para qytetarëve, sot përfundon fushata dhe nga mesnata fillon heshtja zgjedhore para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut që do të zhvillohen të mërkurën.

Në ditën e fundit të fushatës zgjedhore, partitë politike do të përpiqen t’i fitojnë votat e qytetarëve përmes prezantimit të programeve të tyre për periudhën e ardhshme katër vjeçare.

Në mesnatë fillon heshtja zgjedhore pas së cilës tashmë prej nesër fillon votimi, i cili për herë të parë këtë vit do të zgjasë tri ditë për shkak të situatës aktuale me Covid-19.

Sipas orarit për mbajtje të zgjedhjeve nesër do të votojnë ata të cilët janë në karantinë shtëpiake për shkak të testit pozitiv të Covid-19 dhe personat të cilëve u është përcaktuar masa e vetizolimit. Ata do të votojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa votimin do ta kryejë këshilli zgjedhor i veçantë i formuar nga KSHZ.

Personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, të sëmurët kronikë si dhe të burgosurit dhe ata të cilët janë në arrest shtëpiak do të votojnë të martën, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Të mërkurën, në ditën e zgjedhjeve, votimi do të fillojë nga ora 07:00, por do të zgjasë deri në orën 21:00, përkatësisht do të vazhdohet për dy orë më shumë për dallim nga ciklet e përparshme zgjedhore.

Qytetarët do të zgjedhin mes kandidatëve të 15 koalicioneve dhe partive politike. Të drejtë vote kanë 1.814.263 qytetarë të regjistruar në Listën zgjedhore.

Për shkak të pandemisë me koronavirusin, votimi do të zhvillohet konform protokolleve të sigurisë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve të përgatitur nga Komisioni për sëmundje infektive.