MENU
klinika

U akuzuan si agjentë: ASH hesht për Koliqin

Përgjigjet me Kadarenë: Camaj, ndër shkrimtarët më të mirë

09.07.2020 - 15:43

        Akademia e Shkencave reagon pas publikimit të dokumenteve të Sigurimit të Shtetit dhe CIA-s amerikane nga studiuesi Auron Tare, ku pretendohej se shkrimtarët Ernest Koliqi dhe Martin Camaj kanë qenë pjesë e agjenturave të huaja.


Në reagimin e saj, ASH mban qëndrim vetëm për Martin Camajn, duke e cilësuar si një ndër shkritarët më të mirë të kombit shqiptar, ndërsa hesht për Koliqin.

ASH përgjigjet me fjalët e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, i cili për Camajn thekson se “Eshtë një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë”.

Reagimi i Akademisë:

Martin Camaj – një nga shkrimtarët më të mirë të kombit tonë

Akademia e Shkencave ka ndjekur debatin e ditëve të fundme për disa personalitete të rëndësishëm të letërsisë, shkencës dhe kulturës kombëtare.

Akademia e Shkencave vlerëson se ky debat nuk ka të bëjë me vlerat dhe kontributet letrare dhe shkencore të personaliteteve për të cilët diskutohet.

Krijimtaria, kontributet dhe vlerat e trashëgimisë letrare, kulturore e shkencore janë për Akademinë e Shkencave kriter themelor për vlerësimin e personaliteteve të botës shqiptare. Ne do të mirëprisnim çdo debat për një problematikë të tillë me objekt të mirëfilltë shkencor.

Në këtë optikë përgjegjësie institucionale, Akademia e Shkencave e ka shprehur qendrimin e vet ndaj vendit që kanë në historinë e letërsisë këta personalitete përmes kërkimeve cilësore në formën e monografive, artikujve shkencorë dhe botimeve enciklopedike të shumë anëtarëve të saj, që qendrojnë mbi përditshmërinë e debateve mediatike.

Akademia rikonfirmon vlerën e këtyre kontributeve dhe në mënyrë të përmbledhur zgjedh të shqiptohet me fjalët e akademikut Ismail Kadare:

Është një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë.