Dhjetë ndeshje pa humbje, me 7 fitore dhe 3 barazime që pas rifillimit të futbollit italian dhe drejtuesit e Milanit ka rinovuar kontratën e trajnerit Stefano Pioli. Ky i fundit ka nënshkruar edhe për dy sezonet e ardhshme në krye të pankinës së kuqezinjve, pasi ka bindur me punën e tij gjatë vitit 2020.
“Jam i lumtur dhe krenar për besimin që kam marrë nga Milani. Dua t’i falënderoj të gjithë, përfshi edhe tifozët tanë, që na mungojnë në stadium. E kam thënë, e ardhmja jonë është e sotmja. Duhet të jemi të përqendruar e të vendosur”, – tha Pioli pas marrëveshjes.
Pioli erdhi në Milano vetëm për të mbyllur një sezon të quajtur të dështuar deri në dhjetor të vitit të shkuar. Megjithatë, dalëngadalë ai nisi të vendosë markën e tij në klubin kuqezi dhe arriti të nivelet e sotme. Milan është një nga skuadrat me ecurinë më të mirë jo vetëm në Itali pas ndërprerjes së futbollit. Pikët e lëna në gjysmën e parë të sezonit e dënojnë të mos luftojë për një vend në Champions në javët e mbetura.
Drejtuesit e Milanit tashmë e kuptuan se njeriun e duhur e kishin aty dhe ndërprenë gjithçka me Ragnik mbrëmjen e djeshme. Direkt pas kësaj ka pasuar zyrtarizimi i qëndrimit të Piolit, me drejtuesit që i kanë ofruar kontratë deri në vitin 2022, pra për dy vite të tjera, me qëllim rikthimin e Milanit në Champions League.
“Stefano u bë trajneri ynë në një periudhë të vështirë. Ne e kemi thënë gjithmonë se do duhej kohë për të parë rezultatet e punës së tij dhe tani kemi provat që kualiteti dhe profesionalizmi paguhen gjithmonë”, u shpreh Paolo Maldini, i cili pas kësaj pritet të konfirmohet në krye të Milanit si drejtor sportiv.