MENU
klinika

Gati borxhet 1.1 miliardë euro. Dy aktet normative botohen në…

Qeveria heq çdo kufizim për deficitin buxhetor

06.07.2020 - 12:34

Qeveria shqiptare miratoi dy akte normative me fuqinë e ligjit përmes të cilave planifikon të marrë mbi 1.1 miliardë euro borxhe për vitin 2020 dhe të shtyjë planet për ulje të borxhit publik për vitin 2023.

Të dy vendimet, të cilat u publikuan në Fletoren Zyrtare dhe nuk janë publikuar ende nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikojnë që të ardhurat e buxhetit të shtetit këtë vit të bien me 360 milionë euro të tjera në krahasim me parashikimin e marsit ndërsa shpenzimet të rriten me 176 milionë euro të tjera.

Në total, deficiti buxhetor i këtij viti parashikohet të jetë 133 miliardë lekë ose 1.1 miliardë euro ose 8.4% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ky është deficiti më i lartë buxhetor i shënuar në Shqipëri në mbi dy dekada. Hera e fundit kur deficiti buxhetor ka qenë kaq i lartë ka qenë viti 1999 dhe vendi përballej me krizën e luftës së Kosovës dhe me nevojën për t’i kujdesur për qindramijëra të shpërngulur lufte.

Shqipëria planifikonte të kishte prodhim të brendshëm bruto prej 1.8 trilionë lekësh për vitin 2020 ose afro 15 miliardë euro. Vlerësimi i fundit i qeverisë është që në fakt, këtë vit ekonomia shqiptare do të realizojë vlerë të shtuar në masën 13.2 miliardë euro ose 1.8 miliardë më pak nga sa ishte shpresuar në fillim të vitit.

Si pasojë e këtij kolapsi ekonomik, të ardhurat buxhetore parashikohet të bien me 526 milionë euro në krahasim me planin fillestar ndërsa qeveria ka në plan të shpenzojë 251 milionë euro më shumë se sa në fillim të vitit, duke sjellë edhe deficitin rekord.

Qeveria duket se nuk ka në plan të kursejë në ndonjë farë mënyre nga shpenzimet buxhetore, një pjesë e të cilave nuk ngjajnë tamam efikase edhe në kohë të mirë. Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, psh., planifikohet që të rriten në krahasim me buxhetin fillestar dhe po kështu edhe shpenzimet kapitale./ BIRN

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përfundon paketa e ndihmës

5 mësime nga kriza greke

Argumentet e KLSH-së

A po gënjen qeveria me borxhin?