MENU
klinika

PD bojkoton Këshillin Politik për listat

Rama: Absurde, Basha po përsërit gabimet!

22.07.2020 - 17:38

Një takim i shkurtër, vetëm 40 minuta, ka qenë mbledhja e Këshillit politik në Pallatin e Kongreseve, ku për herë të parë anëtarët e Këshillit Politik dalin me ditë dhe jo me natë. Mbledhja ishte e fokusuar në diskutime në nivel teknikësh nëse ndryshimet kushtetuese prekin paktin e 5 qershorit.

Në takim ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama, përfaqësuesi i PS, Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari e Myslim Murrizi, ndërsa u bojkotua nga PD dhe LSI, e cila kërkon garancinë për votimin e 5 qershorit në seancën e nesërme dhe më pas të zhvillojnë takimin e Këshillit Politik.

Pas takimit Rudina Hajdari tha Myslim Murrizi i bënë thirrje PD të vij të ulet në tryezë dhe të jap argumentet e veta për çështjet.

Mbrëmë Edi Rama dhe opozita parlamentare firmosën marrëveshjen për votimin e paktit të 5 Qershorit në Kuvend në datë 23 Qershor, ndërsa 7 ditë më pas të ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave dhe koalicionet. Por PD-ja e kundërshton hapjen e listave duke e cilësuar si zhbërje të paktit të 5 Qershorit.

Kryeministri Edi Rama mbrëmë iu drejtua kryedemokratit duke i thënë që të mos bëjë gabimet e së shkuarës, por të vijë në tryezë. Edhe ditën e sotme kreu i qeverisë e nisi me një mesazh të koduar, por nuk ishte e vështirë për ta kuptuar se për cilin shkonte. Kryeministri, referuar Bashës, shkruante se “Duhen dy veta për të vërtetën”.

Pas mbledhjes së sotme, Rama tha se Basha po përsërit të njëjtin gabim që nuk ndodhet në vendin e duhur në kohën e duhur, si dhe mohoi se nesër do të ketë një mbledhje të Këshillit Politik. Ai tha se ndryshimet kushtuese nuk prekin 5 qershorin dhe kjo u konfirmua edhe nga grupi i ekspertëve që është zgjedhur dhe me dakordësinë e PD.

“Ajo që kemi diskutuar me ekspertë në këtë takim të shkurtër ka qenë pikërisht adresimi i atyre çështjeve që u ngritën dje dhe këtu ekspertët dhanë një përgjigje shteruese që asgjë nuk preket në përmbajtjen e marrëveshjes së 5 qershorit. 5 qershori votohet nesër dhe hyn në fuqi, ndryshimet kushtetuese votohen më 30 korrik dhe hyjnë në fuqi. Dhe në raport me trupën e ekspertëve jemi në konsensus dhe sqarimet e tyre janë kuptimplota për të gjithë ne por dhe demokratët. Kam frikë se Basha po përsërit të njëjtin gabim, të mos qeni në vendin e duhur në kohën e duhur. Nesër nuk ka asgjë”, tha Rama.

Edi Rama e cilësoi absurd bojkotin e mbledhjes së Këshillit Politik sot nga opozita jashtë parlamentit. Kryeministri paralajmëroi PD-në se shumica socialiste ka dakordësi me opozitën brenda parlamentit dhe se do të votojë hapjen e listave.

“Kishim një diskutim me një grup të ekspertëve të Këshillit Politik që kanë ndjekur procesin, Damiani mbase sqaron më mirë në aspektin e pretendimit që është shprehur PD-ja. Ne erdhëm për të shprehur jo vetëm vullnetin, por edhe gatishmërinë për të diskutuar mbi cdo gjë që është e paqartë, që ka krijuar keqkuptim, apo mos kuptime të caktuara për risitë kushtetuese. Është në interesin e PD-së që të zhvillojë këtë proces, sepse faktikisht ky këshilli e ka kryer misionin e vet me marrëveshjen e 5 qershorit dhe nga ana tjetër pas 30 korrikut jeta politike vazhdon. Do të na duhet të reflektojmë në ligjin zgjedhor c’ka kushtetuta lidhur me listat e hapura do të imponojë dhe më duket absurde që të bojkotohet diskutimi lidhur me këtë.

Duhet ta përsëris nuk jemi në kushtet e një vendi pa institucione dhe parlament dhe mos ekzsitenca imagjinare e parlamentit nga opozita jashtë parlamentit nuk e bën parlamentin inekzistent. Pavarësisht se PD-ja dhe aleatët e saj u arratisën duke braktisur detyrën janë pjesë e këtij realiteti politik dhe mohimi do të ishte i padrejtë, jo me personazhet, por me qytetarët. Jam i keqardhur, se është një kohë e shkurtër. Kemi konsensus me forcat parlamentare dhe kushtetshmërit me ligj dhe zakon nuk kemi asnjë hall të posaçëm, por mendoj që kemi bërë gjënë e duhur, edhe sot. Sa i përket pretendimit që të mblidhemi për cka është nënvizuar nga pala që refuzoi që të merrte pjesë, mendoj që Damiani mund të japë një sqarim se e njeh më mirë se unë procesin”, tha ai.