MENU
klinika

69 milionë euro ndihma shtetërore

Raporti/ Inovacioni dhe turizmi morën pjesën më të madhe

14.07.2020 - 12:13

Shuma e ndihmave shtetërore të dhëna në Shqipëri ndaj bizneseve apo individëve, gjatë vitit që lam pas arrin në vlerën e afro 69 milionë eurove apo 0.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Referuar raportit vjetor për ndihmat shtetërore të zbardhur nga scan, vihet re se gjatë periudhës 2015-2019 shifra totale arrin në 198.1 milionë euro, ku viti 2019 arrin shifrën rekord në raport me PBB-në. Instrumentet kryesore të ndihmës shtetërore në Shqipëri gjatë vitit që lam pas janë grantet dhe përjashtimi nga taksat, rimbursimi apo reduktimi i shkallës tatimore.

Në totalin e ndihmës së dhënë, vendin kryesor me rreth 50.4% e zënë ndihmat horizontale, ku përfshihet mbështetja për për kërkim-zhvillim dhe inovacion, që ka marrë fondet më të mëdha gjatë 2019, në afro 16.7 milionë euro apo 49 për qind të totalit, 6 për qind e shumës ka shkuar për ndihma operacionale, ndërsa ndihma për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, punësimin, trajnime, sportin dhe kulturën varion 2-3 për qind.

Konkretisht, ndihma shtetërore për kërkim dhe zhvillim është dhënë për ndërmarrjet që nënshkruajnë “marrëveshje hidrokarburesh” dhe nënkontraktuesit e tyre, duke iu ofruar një përjashtim nga tatimi mbi vlerën e shtuar të të gjithë kontraktorëve dhe nënkontraktorëve për realizimin e fazave të kërkimit dhe të zhvillimit të operacioneve hidrokarbure.

Ndërsa ndihma sektoriale përbën 49.6% të ndihmës gjithsej dhe përfshihet mbështetja për transportin publik, për shërbimin publik, për minierat, infrastrukturën broadband, energjinë apo turizmin, ku ky i fundit ka marrë mbështetjen më të madhe në afro 24 milionë euro apo 69 për qind të fondeve. Konkretisht, 2,527 strukturat akomoduese kanë përfituar nga ndihma për sektorin e turizmit nga nga reduktimi i TVSH-se nga 20% në 6% për vitin 2019. Mbështetja për sektorët e tjerë varion nga 1-12 për qind.