Opozita e Bashkuar ka pranuar të marrë pjesë në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, pas ftesës që bëri PS dhe vetë kryeministri Rama këtë mëngjes.
Por ndërsa Damian Gjiknuri lajmëroi se Këshilli Politik do të mblidhej pasditen e së mërkurës, 22 korrik, burimet thanë se opozita e bashkuar ka kërkuar që kjo mbledhje të shtyhet për nesër, të enjten. Opozita e bashkuar kërkon që takimi i sotëm të shtyhet për nesër, me një axhendë të ndryshuar.
PERGJIGJA E PLOTE E OPOZITES SE BASHKUAR
Përshendetje,
Në vijim të email-it më poshtë, propozojmë që mbledhja e Këshillit Politik, është e përshtatshme, të zhvillohet të enjten në orën 17:00, ose të premten ora 11:00, sipas kohës tuaj.
Në Rendin e Ditës së mbledhjes siç kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, duhet të përfshihet vijimi i punës së Këshillit për zbatimin e pikave 11 dhe 12 të saj, ku specifikohet se: “11. Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me: (1) blerjen e votës; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike; (4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale; (5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Në rast të mosprogresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9.
12. Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 9, 9, 10 dhe 11 më sipër dhe dy shënimet poshtë do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më sipër do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore dhe parlamentare.”.
Në lidhje me ndryshimin e formatit të përbërjes së Këshillit Politik, nëse ju keni vlerësuar si të përshtatshme zgjerimin e përfaqësuesve të partive politike në Grupin e Punës së Këshillit Politik, atëherë ju bëjmë me dije se Opozita e Bashkuar do të përfaqësohet përveç nesh, edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z. Gazment Bardhi.
Mbetemi në pritje të konfirmimit tuaj!
Oerd Bylykbashi
Petrit Vasili