MENU
klinika

Masakra e Srebrenicës/ Rama reagon si kryetari i OSBE

“Rishkrimi me qëllimin e keq i historisë mund të çojë në të njëjtat gabime”

11.07.2020 - 16:28

Kryeministri Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të OSBE-së, u shpreh se 25 vite nga masakra e Serbenicës, egërsia e këtij gjenocidi është një tragjedi që rëndon edhe sot.

Rama thotë se rishkrimi me qëllimin e keq i historisë mund të çojë në të njëjtat gabime dhe krime që, sipas tij, po bëhen përsëri.

Sipas kryeministrit Rama, mosndëshkimi nuk është opsion, ndërsa shton se përgjegjësia për krimet u takon atyre që i kanë kryer.

“Shkalla dhe egërsia e këtij gjenocidi është një tragjedi që rëndon sot mbi shpirtin tonë, edhe 25 vite më vonë. Unë shpreh respektin ndaj viktimave që u vranë pa mëshirë dhe ofroj ngushëllimet e mia të thella për familjet e atyre që humbën jetë. Rishkrimi me qëllimin e keq i historisë mund të çojë në të njëjtat gabime dhe krime që po bëhen përsëri.

Gjyqtarët lokalë dhe ndërkombëtarë kanë dokumentuar atë që ndodhi në Srebrenicë dhe rrethinat e saj në vitin 1995. Kjo nënvizon domosdoshmërinë e dhënies së drejtësisë. Mosndëshkimi nuk është opsion. Ne gjithmonë themi se Srebrenica nuk duhet të përsëritet kurrë, por vetëm disa vite më vonë pati një konflikt shkatërrues në Kosovë. Përgjegjësia për krimet u takon atyre që i kanë kryer. Por, shoqëritë janë gjithashtu fajtore nëse ato nuk kujtojnë dhe nuk mësojnë nga leksionet e asaj që ndodhi në Srebrenicë“, shkruan Rama.