MENU
klinika

"Mos luftoni një betejë nëse nuk merrni asgjë duke fituar"

Rommel, i vetmi gjeneral nazist të cilit Çërçilli i druhej më shumë se vetë Hitlerit…

01.07.2020 - 11:58

Mos luftoni një betejë nëse nuk merrni asgjë duke fituar. – Ervin Romel

Një herë Uinston Çërçilli ka thënë: “Ne kemi një kundërshtar shumë të guximshëm dhe të zjarrtë kundër nesh, dhe mund të them, një gjeneral të madh”.

Ai i referohej një burrë që u bë miti i Luftës së Dytë Botërore, një gjeneral gjerman i admiruar nga të dyja palët e luftës, Ervin Johanes Eugen Rommel.

Gjatë teatrit të luftës në Afrikën e Veriut (1940-1943), ku Romeli i siguroi Gjermanisë Naziste fitore të njëpasnjëshme me resurse minimale, britanikët e konsideronin atë si një xhentëllmen, dhe, ndryshe nga pjesa e tjetër e gjeneralëve gjermanë, Romeli ka qënë një subjekt i vazhdushëm i biografive të Luftës së Dytë Botërore.

Edhe sot në Gjermani Ervin Romeli është një figurë mjaft e lartësuar dhe mbahet si një hero i rezistencës kundër Hitlerit, por paradoksi është se ai mbeti një mbështetës i nazismit dhe duhet të nënvizohet se karriera ushtarake e dhelprës së shkretëtirës (nofka e Romelit) në Luftën e Dytë Botërore begatoi vetëm falë Hitlerit.

Ervin Romel lindi në nëntor të 1891 në Vyrtenberg në një familje të shtresës së mesme. Ai iu bashkua ushtrisë në 1910 dhe pas dy vjetësh ai u bë toger i një regjimenti këmbësorie. Lufta e Parë Botërore shpërtheu dhe Romeli mori pjesë në betejat e para të zhvilluara në Francë dhe Belgjikë.

Por suksesi i tij i vërtetë do të vinte në betejat e teatrit italian, në vjeshtën e 1915 ai transferohet atje ku lufton në betejën e përgjakshme të Isonzos, në Dolomite.

Romeli në dhjetor të 1917, paraqitet me medaljen më të lartë gjermane Pour le Merite, pasi e fitoi për përformancën e tij në përleshjet malore në frontin italian gjatë Luftës së Parë. Ai gradohet në rankun e kapitenit.

Në periudhën midis dy luftrave ai publikoi librin “Taktikat e Këmbsorisë” i cili shpejt u bë një bestseller, dhe për më tepër i bëri përshtypje Hitlerit,  i cili po përgatitej ta fuste Gjermaninë në një luftë tjetër.

Në fund të viteve 30’ Hitleri e emëroi Romelit shefin e batalionit të eskortës së tij përsonale. Respekti dhe admirimi midis tyre ishte reciprok – Romeli në 1940 e përshkruante Hitlerin si “një gjeni ushtarak”.

Edhe pse në fushatën e Polonisë nuk kishte pasur asnjë rol, momenti i famës për të do të vinte në fushatën e Francës të pranverës së vitit 1940. Romeli edhe pse nuk kishte eksperiencë me drejtimin e divisioneve të blinduara (pancer), influenca e tij përsonale mbi Hitlerin i mundësoi komandën e një divisioni të tillë.

Shumë shpejt ai do e justifikonte zgjedhjen e tij. Në betejën e Francës ai drejtoi divisionin e 7 pancer i njohur si “divisioni fantazëm” për shkak të shpejtësisë dhe avancimit të paparë në territorin francez. Që në përfundimin e fushatës Romeli bëhet një figurë mjaft popullore në Gjermani.

Romeli paraqitet me uniformën ushtarake gjermane, ai ekspozon medaljet dhe dekoratat e tij si dhe ekspozon në qafë Kryqin e Hekurit të Kryqit të Kalorësit.

Dukej se çdo gjë po shkonte vaj për Hitlerin, ku në Ballkan, krejt papritmas, vetë Musolini rrezikon planet e Hitlerit. Pa informuar Gjermaninë, Duçja sulmon Greqinë nga bazat e tij në Shqipëri dhe avancon drej Egjiptit nga kolonia italiane e Libisë.

Situata ishte më së katastrofike, italianët në Ballkan u mundën nga grekët dhe britanikët po avanconin drej Libisë pa hasur rezistenca serioze, por në Afrikë kolonitë italiane të Abisinë dhe Etiopisë çlirohen nga forcat britanike.

Këtë radhë Hitleri nuk i duroi pasivisht disfatat e Musolinit. Pa vonuar Hitleri dërgon në Libi gjeneralin e tij të preferuar, Ervin Romelin së bashku me dy divisione për të ndaluar katastrofën italiane, në pak javë mbërritja e tij kthen çdo gjë përmbys.

Në shkretëtirat e Libisë ai tregon se ishte një takticient dhe një komandant mjaft krijues me pancerat e tij. Ai do të fitonte beteja të panumërta me Afrika Korpsin (njësia ushtarake gjermane që drejtonte Romeli në Afrikë) jo vetëm kundër ushtrive britanike por edhe kundër të gjithë legjioneve koloniale britanike (Kanada, Indi, Zelandë e Re, Afrikë e Jugut, Australi).

Romeli pëlqente të mbante hapin me veprimin, duke ushtruar komandën nga një tank apo makinë stafi.

Klimaksi i tij në Afrikë do të vinte me triumfin mbi betejën e Tobrukut, ku Romeli shpallet feldmarshall (grada më e lartë ushtarake) nga vetë Hitleri, por materialet po i mbaronin, pasi mori gradën ai tha “Do të kisha qënë më i lumtur sikur të më kishte dhënë edhe një division”.

Ceremonia e shpalljes së Romelit feldmarshall. Hitleri ishte një fans mjaft i madh i Romelit.
Kulti i Romelit lartësohet me fitoren e Tobrukut. Ai i dërrmoi ushtritë aleatë duke iu shkaktuar një humbje të thellë, 1188 tanke britanike u shkatërruan dhe 32000 britanikë u kapën rob, dhe kjo i kushtoi Romelit vetëm 400 tanke.

Ditë të zeza do vinin për Romelin pas betejës së El-Alamein ku gjermanet ishin në pozita të vështira 1 me 2. Terreni ishte i rrafshët nuk jepte mundësi manovrimë të tankeve gjermane. Epërsia e ushtrisë së 8-të britanike të Montgomerit në nëntor të 1942 do ta detyrojë të tërhiqet.

Hero i Rajhut. Reputacioni i Romelit si një gjeni ushtarak u shfrytëzua nga makineritë e propagandës naziste. Këtu paraqitet në kopertinën e revistës mjaft të shitur Signal.

Pas disfatës së trupave italo-gjermane në Afrikë, Romeli emërohet si inspektor i instalacioneve ushtarake në brigjet e Francës gjatë kohës së invasionit të D-Day, në 1944. Po në verën e këtij viti mendohej se Romeli kishte gisht në komplotin e 20 korrikut 1944 për të vrarë Adolf Hitlerin.

Duke qënë se ishte një figurë që mbahej si hero në Gjermani, Fyhreri nuk mund ta lejonte që të dilte para gjyqit publik, por i bëri një propozim Romelit nëqoftëse ai kryente vetvrasje familja do ti kursehej.

Regjimi nazist i organizoi një funeral shtetëror dhe nxori justifikim se ai kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra në Francë.

Funerali i Romelit.

 

Figura e Feldmarshallit Ervin Romel është portretizuar edhe në kinematografi hollivudiane edhe atë gjermane. Në 1951 aktori amerik James Mason luan Romelin në filmin “The Desert Fox” dhe në 2012 aktori gjerman Ulrich Tukur luan Romelin në filmin “Rommel”.

Referencat

Battle Dk

Collier, Richard, The War in the Deser. Alexandria 1977

Douglas-Home, Charles, Rommel. New York 1973

Lidell Heart, e.d The Rommel Papers. New York 1953.

Young, Desmond, Rommel, the Desert Fox. New York, 1951.

Who’s Who in Nazi Germany?

Third Reich Encyclopedia