MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Ruajuni nga Rama me ‘Gralin’ e shenjtë në xhep

22.07.2020 - 12:54

Nga Skënder Minxhozi

Pozita dhe opozita parlamentare kanë rënë dakord që të miratojnë së bashku marrëveshjen e 5 qershorit, si dhe ndryshimet kushtetuese që do të hapin listat e kandidatëve dhe do të riformatojnë koalicionet elektorale. Teksa korriku ka futur nën presion, me afatet e tij, të gjithë klasën politike, arritja e këtij kompromisi që do të votohet në 30 korrik, i jep një domethënie krejt të re reformës zgjedhore në vend.

Për gjashtë muaj, PD, PS e LSI u endën në Këshillin Politik, në diskutime e debate që trajtuan gjithçka, përveç kryetemës së reformës së zgjedhjeve: hapjen e listave të kandidatëve. Muaj të tërë, Gjiknuri e Bylykbashi u përpoqën të markojnë njëri-tjetrin nëpër gjithfarë monopatesh e skutash të Kodit Elektoral, duke rrëshqitur rregullisht që të dy, sa herë që në horizont ju shfaqej pyetja e sikletshme e listave.

Është mirë që në fund të këtij teatri të shëmtuar, ku u ra dakord praktikisht të mos ndryshohej asgjë, njëra nga palët bëri “prapakthehu”! Vonë, por më mirë vonë se kurrë.

Nga kjo reformë, e para e këtij lloji që nisi qysh të nesërmen e zgjedhjeve (2017), pritej një thyerje e madhe. Jo edhe aq tek teknologjia, jo edhe aq tek vota e emigrantëve, pasi te dyja këto kërkonin kohë dhe energji, të cilat shteti shqiptar i ka pasur përjetësisht me pakicë. Thyerja pritej tek mekanizmi i zgjedhjes së personave që do të votonin ligjet dhe do të vendosnin kështu për jetët e shqiptarëve.

Duhej një thyerje në skemën e deputetëve të paracaktuar, e cila kishte marrë përmasat e një mafieje partiake, ku çanin përpara vetëm miqtë dhe parellinjtë. Hapja e listave nuk sjell mrekullinë, ajo nuk do të zhbëjë me një të rënë të lapsit partitokracinë në Shqipëri. Por është premisa e parë, kushti themelor, për fillimin e një ndryshimi gradual. Sërish do të kemi deputetë me shumë emra, më shumë të panjohura në të shkuarën dhe dyshime në të tashmen e tyre. Por hapja dhe gara që ajo do të sjellë me vete, do ta bëjnë objektivisht më të vërtetë procesin elektoral, do t’i bëjnë të dukshëm ato që deri dje ishin vetëm emra të thatë nëpër lista.

Rama ka kuptuar jo vetëm sa më sipër, pasi i dinte të gjitha këto, bashkë me Bashën dhe të tjerët, por ka ndjerë sesa popullore ishte bërë në heshtje kauza e listave të hapura. Në ndryshim nga Basha dhe Meta, ai ka perceptuar jo vetëm frikën nga treni klasik i koalicionit të partive të opozitës, por në anën tjetër, edhe mllefin e heshtur të elektoratit shqiptar ndaj emërimit të deputetëve, si të ishin drejtorë ujësjellësash.
Sa për akuzën qaramane se po kërkohet të evitohen koalicionet, është mirë që opozita të flasë qartë dhe të mos fshihet. Deri më sot kemi pasur këtë model koalicionesh. Pala tjetër kërkon një model të ri, me lista të unifikuara. Çfarë ka që nuk shkon këtu? A është negociatë, apo është monolog?! Ah po, është vonë, nuk bëhen tani këto gjëra! Harruam që në 30 vjet zgjedhje, i kemi diskutuar e vulosur rregullat e lojës në minutën e fundit?!

Pakti i Ramës me opozitën parlamentare do të krijonte një moment cilësisht të ri në dinamikën e ngjarjeve, vetëm dhjetë muaj para zgjedhjeve. Basha bën mirë ta planifikojë dhe përllogarisë mirë këtë ndryshim të pritshëm,  që mund të modifikojë gjatë rrugës, edhe raportin mes palëve në fushatën e ardhshme.

Ky ngjan si një nga ato momente që e tjetërsojnë Edi Ramën. Ai ka gjetur kalin e betejës për zgjedhjet e ardhshme (në fakt më e saktë do të ishte të thuhej se kali gjeti Ramën)! Ka gjetur kulmin e tretë të Trinisë Elektorale “tërmet-pandemi-lista të hapura”!

Bëhuni gati ta shihni të veshur me kostumin e Juves, me opinga ose atlete sporti, nga një fshat në tjetrin, duke thurur elegjinë e listave të hapura, duke prerë shiritat e shtëpive të rindërtuara dhe duke u vetë-lëvduar deri në mërzi, për mbylljen e koronës që “shpëtoi qindra mijë jetë”. Opozita e ka të qartë dhe e kujton shumë mirë këtë lloj situate, kur kundërshtari i vet “zbulon” Gralin e shenjtë të zgjedhjeve dhe nuk ndalet nga mëngjesi në darkë! Një skemë elektorale hileqare dhe efektive, që mbulon mjeshtërisht rrugët e pashtruara, vendet e punës së pahapura, krizën ekonomike dhe pesimizmin e shqiptarëve.

Listat e hapura zgjedhore po hyjnë me dhunë dhe shumë vonë në skenën tonë politike. Duheshin diskutuar e dakordësuar me të gjitha opozitat javë e muaj më parë. Megjithatë për idetë e mira duhet të ketë gjithmonë kohë.

Është shumë pozitive që të mos shkojmë në zgjedhjet e rradhës me situatën që kemi pasur deri sot. Partitokracia e qelbur shqiptare duhet të marrë më në fund goditje dhe listat e hapura krijojnë plasaritjet e para. Nuk është fundi i rrugës, por rruga nuk mbaron nëse nuk vesh këpucët e nis të ecësh!