Shqipëria zgjidhet zv-presidente për Sesionin e 75 të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare.
“Jam krenare të njoftoj se Shqipëria është zgjedhur Zëvendës Presidente e sesionit 75 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara!
Është një nder i veçantë të shërbej si Zv/Presidente e këtij sesioni historik dhe mezi pres të punoj me Ambasadorin Volkan Bozkir, Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë së Përgjithshme nga Turqia.
Ky është një privilegj i madh dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme për t’i shërbyer vendit tim në këtë post të rëndësishëm, me një vëmendje të madhe në arenën ndërkombëtare.
Secili grup rajonal në OKB përfaqësohet me një Zëvendës President në Asamblenë e Përgjithshme. Shqipëria do të përfaqësojë Grupin e Evropës Lindore (anëtarët e EEG, përfshijnë Ballkanin, Evropën Lindore, Rusinë, Ukrainën, Bjellorusinë, Azerbajxhanin, Armeninë etj”, shkruan ajo në postimin e saj.
Ky vit shënon 75-vjetorin e themelimit të OKB-së pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Mirëpo, sesioni i përvitshëm që mbahet në shtator, nuk do të sjellë udhëheqësit nga e gjithë bota, si ka qenë tradita e dekadave të fundit, për shkak të krizës së epidemisë nga koronavirusi.
Ambasadorja Kadare do të jetë një nga zëvendëset e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme që këtë vit është zgjedhur diplomati Volkan Bozkir nga Turqia.
Shqipëria është bërë më aktive në vitet e fundit në OKB dhe ka vendosur kandidaturën e saj për anëtare të Këshillit të Sigurimit në dyvjeçarin e ardhshëm.