MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Si të parandaloj rrezikun e tensionit të ulët të gjakut?

06.07.2020 - 10:17

Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Si të parandaloj rrezikun e tensionit të ulët të gjakut?

Mjeku: Natyrisht që kur shenjat që paraqiten janë shqetësuese, duhet të drejtohemi menjëherë te mjeku për të përcaktuar arsyen e vërtetë të kësaj gjendjeje. Kurse ajo që ne vetë mund të ndikojmë dhe të marrim masat parandaluese është mënyra e ushqyerjes.

Në qoftë se për presionin e lartë të gjakut rekomandohet kufizimi deri edhe në ndalim të kripës kur problemet janë madhore, në rastin e hypotensionit ajo rekomandohet, por sigurisht me karar sepse edhe ajo ka dëmet e veta. Në këto raste kripa ndihmon në ngritjen e presionit të gjakut dhe rekomandohen produkte të tilla ushqimore, si djathi dhe supërat e thata (paketat me supë të gatshme) që kanë përqendrime të larta të natriumit (kripës).

Rekomandohet të hani shpesh dhe në porcione të vogla gjatë gjithë ditës sepse gjatë çdo ngrënieje presioni i gjakut rritet. Një zgjedhje mjaft e mirë janë qumështi dhe mishrat që kanë përmbajtje të ulët yndyre (mishi i pulës, peshku, jo mishrat e kuq). Zgjidhni frutat që ju pëlqejnë dhe përdorini ato sa më shumë, mund t’i shoqëroni ato me qumësht ose kos, sepse ndikojnë pozitivisht në rritjen e presionit të gjakut. Pini sa më shumë lëngje gjatë ditës, qoftë edhe ujë sepse rritet presioni i gjakut. Kështu, parandaloni dehidratimin (sidomos gjatë verës kur edhe djersijmë më shumë), i cili është një nga shkaqet kryesore të hypotensionit.

Nëse ju merren mendtë kur ndërroni pozicion, duhet të ktheheni menjëherë në pozicionin e mëparshëm.

Njerëzit që janë diagnostikuar me hypotension duhet të bëjnë shumë kujdes kur ngrihen nga shtrati. Ata nuk duhet të ngrihen menjëherë, por gradualisht. Fillimisht të ngrihen ndenjur, pastaj të qëndrojnë 10-15 minuta me këmbët e varura poshtë shtratit dhe pastaj të çohen me ngadalë dhe pa u nxituar. Gjithashtu, mjekët mund të këshillojnë edhe barna të caktuara që ndikojnë në rritjen e presionit të gjakut.

Njerëzve që vuajnë nga hypotensioni nuk u këshillohet që të qëndrojnë në diell.

Gjithashtu, atyre nuk u këshillohet përdorimi i alkoolit. Studimet tregojnë se rreth 7 për qind e rasteve me tension të lartë (hipertension) janë të lidhur me përdorimin e alkoolit dhe rreth 25 për qind e rasteve me tension të ulur (hypotension) janë të lidhur po me përdorimin e alkoolit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.