MENU
klinika

Eficenca e energjisë në ndërtesa – Detyrimet e reja

“S’ka leje ndërtimi dhe përdorimi pa garantuar kursimin e energjisë”

11.07.2020 - 17:03

Ndërtimet e reja në vendin tonë duhet të jenë eficiente nga pikëpamja energjetike, duke garantuar nivelet optimale të konsumit për një përdorim tipik të ndërtesës. Këshilli i Ministrave ka miratuar një nga vendimet, që i hap rrugën uljes së konsumit të energjisë në vend, ndërkohë që sipas dokumentit, kompanive të ndërtimit iu lindin detyrime të reja që duhet të përmbushin përpara se të pajisen me lejen e ndërtimit.

Më konkretisht, aplikanti si pjesë të dokumentacionit tekniko-ligjor që paraqet pranë autoriteteve përkatëse, ku aplikohet për leje ndërtimi, paraqet edhe certifikatën paraprake për performancën e energjisë, të lëshuar nga Audituesi Energjetik i Certifikuar, së bashku me “Deklaratën e përgjegjësisë profesionale”.

Nëpërmjet këtyre dokumenteve ai konfirmon dhe mban përgjegjësi për përputhshmërinë e projektit të propozuar me legjislacionin në fuqi që përcakton kërkesat minimale për perfomancën e energjisë së ndërtesave. Për t’u pajisur me këtë dokument, kompanitë projektuese, ndër të tjera duhet të parashikojnë edhe materialet e ndërtimit, materialet izoluese dhe trashësinë e tyre, llojin dhe performancën e sistemeve teknike, si: ngrohje, ftohje, ndriçim, vetilim, ujë i nxehtë, etj.

Ndërkohë që, në bazë të rezultateve të llogaritjes së performancës së energjisë nga programi kompjuterik i miratuar, subjekti juridik projektues konfirmon nëse ndërtesa përputhet me kërkesat minimale për performancën e energjisë së ndërtesave. Në rast se këto kërkesa nuk përputhen, projekti ndryshohet derisa të përputhet me kërkesat në fuqi.

Por, objekti i ndërtuar nuk mund të pajiset me lejen e përdorimit, pa dorëzuar certikatën përfundimtare të performancës nëpërmjet së cilës ai konfirmon dhe mban përgjegjësi për përputhshmërinë e projektit të përfunduar me legjislacionin në fuqi që përcakton kërkesat minimale për perfomancën e energjisë së ndërtesave. Ky vendim do të hyjë në fuqi 3 muaj pas botimit të Fletoren Zyrtare, ndërkohë që ai pritet t’i japë një shtysë jo vetëm kursimit të energjisë, por edhe rritjen e cilësisë së jetesës në një banesë.