MENU
klinika

PS firmos pakt me opozitën e Kuvendit

Skema si do ndryshojë Kushtetuta dhe marrëveshja e 5 qershorit

22.07.2020 - 10:37

Partia Socialiste firmosi dje një tjetër marrëveshje politike me opozitën në Parlament. Marrëveshje e cila praktikisht prish paktin e Këshillit Politik të Reformës Zgjedhore më 5 qershor në prani të ambasadorëve kryesorë në vendin tonë.Rama Murrizi

Dje në orën 19:00 Kryeministri Rama, në prani edhe të kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u takua në Kryesinë e Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës për të firmosur një marrëveshje të përgatitur më herët. Në pikën e parë të dokumentit palët angazhohen që në seancën e ardhshme parlamentare të votohet marrëveshja e 5 qershorit për amendimin e Kodit Zgjedhor. Për të bërë të mundur këtë, duhen të paktën 84 vota.

Ndërkohë, pika dy e marrëveshjes me Myslim Murrizin, Nimet Musain, Edmond Stojkun dhe Rudina Hajdarin angazhon të gjitha grupet parlamentare që të votojnë ndryshimet kushtetuese. Ndërkohë, vlen të theksohet se për herë të parë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, pranon se ndryshimet kushtetuese që propozojnë deputetët e opozitës parlamentare prishin paktin e 5 qershorit.

Për këtë arsye në pikën e tretë të marrëveshjes palët bien dakord që pasi më 23 korrik të miratohet vullneti i të gjitha palëve në Këshillin Politik, më 30 korrik të miratohen ndryshimet kushtetuese që hapin listat, ndalojnë koalicionet dhe vendosin pragun kombëtar. Më pas, të vijohet dialogu për të ndërhyrë sërish në Kodin Zgjedhor për të reflektuar rregullat e reja që do të imponojë Kushtetuta. Por çfarë parashikon praktikisht kjo marrëveshje?!

PËRPLASJA

Nëse zhvillimet politike do të vijojnë sipas paktit të firmosur dje në Kryesinë e Kuvendit, atëherë do të ketë ndryshim të dakordësisë së arritur më 5 qershor. Në Këshillin Politik, ndër të tjera, palët në nenin 19 dhe 36 të marrëveshjes sanksiononin se lejohen koalicionet parazgjedhore. Por nga ana tjetër, ndryshimet kushtetuese, që sipas marrëveshjes do të miratohen më 30 korrik, sanksionojnë që të hapen listat, si dhe kandidatët për deputetë të propozohen nga partitë dhe zgjedhësit, duke hequr kështu mundësinë e koalicioneve parazgjedhore.

Për rrjedhojë, për shkak se Kushtetuta renditet më lart se të gjitha ligjet e tjera në Shqipëri, imponon që ato që parashikohen në Kushtetutë të përshtaten edhe në ligjet e tjera (në rastin në fjalë, në Kodin Zgjedhor). Kështu, Kuvendi do të angazhohet sërish për të bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që të hiqet mundësia e koalicioneve zgjedhore, ndërkohë që në marrëveshjen e 5 qershorit u pranuan.

FTESA E RAMËS

Në përfundim të takimit, Kryeministri Rama në një prononcim për mediat, i bëri apel kryedemokratit për dialog. Ndërkohë e paralajmëroi duke i thënë që të mos bëjë gabime të përsëritura. “I bëj apel Bashës, PD-së dhe të gjithë aleatëve të tyre që mos të bëjnë gabimet e së shkuarës, duke refuzuar tryezat, dhe të vazhdojmë punën bashkë. Kuptohet, nuk jemi të detyruar për të rënë dakord për të gjitha.

Konsensusi 100% është objektiv shumë realist, por mund të biem dakord për shumëçka. PS-js ka bërë të gjitha lëshimet, përpjekjet, nuk ka kërkuar atë që mund të kërkonte. PD-ja nuk mund të bëjë, por s’mund të imponojë ekzistencën imagjinare të një Parlamenti që ka të gjitha atributet për të çuar përpara funksionimin e procesit zgjedhor. Të gjithë procesin politik. Jemi në rrugë shumë të mbarë. Kush vazhdon në këtë rrugë, ecën mbarë”, tha Rama. Pasi shtoi se tashmë opozita e bashkuar e ka përgjigjen se kur do të votohet marrëveshja e 5 qershorit, Rama kërkoi rimbledhjen e menjëhershme të tryezës politike me të gjitha palët e interesit.rama pakti murrizi

“Kemi arritur një konsensus të gjerë, edhe pse jo total, për të votuar marrëveshjen e 5 qershorit dhe kemi arritur edhe konsensus të plotë për të votuar më 30 korrik ndryshimet që do të hapin listat, por edhe për të vazhduar procesin gjithëpërfshirës bashkë me opozitën jashtëparlamentare. Një orë e më parë do të ishte mirë të mblidhet Këshilli Politik dhe të diskutojmë, sepse kemi hapur një diskutim para pak kohësh, dje në mos gaboj, dhe tani jemi në kushtet kur duhet të diskutojmë konkretisht, pasi opozita jashtëparlamentare donte datën e saktë se kur do të votojmë për marrëveshjen e 5 qershorit, dhe nga ana tjetër, kemi nevojë të bashkëpunojmë edhe për mënyrën si do të reflektohet në ligjin zgjedhor ajo ç’ka do të imponojë votimi i 30 korrikut”, vijoi Rama. Ndërkohë, dje Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm me votat e maxhorancës nen për nen draftin e amendimeve në Kodin Zgjedhor të dalë nga Këshilli Politik.

OPOZITA NË PARLAMENT E PËRÇARË, MURRIZI: NUK DO TË VOTOJ “5 QERSHORIN”murrizi

Partia Socialiste, e përfaqësuar nga Kryeministri Rama dhe kreu i Grupit Taulant Balla, firmosi dje për t’i miratuar dy paketat që prekin Kodin Zgjedhor, amendimet e 5 qershorit dhe ndryshimet kushtetuese. Por kreu i Grupit Parlamentar Demokrat, Myslim Murrizi, deklaroi dje pas firmosjes së marrëveshjes se ai ka firmosur vetëm që të votohen ndryshimet kushtetuese.

“Kam firmosur që jam kundër kësaj marrëveshjeje dhe nuk do të votojmë atë marrëveshje. Kemi firmosur për dy pika. Do t’jua vë në dispozicion marrëveshjen që kam firmosur unë. Nëse ju keni marrëveshje tjetër, nuk e di se të kujt: të ferrave apo të bunkerëve? Jam dakord me marrëveshjen dhe jam kundër pikës 1, dhe Grupi Demokrat do të votojë kundër. Kam përcjellë vendimin unanim të Grupit Parlamentar Demokrat”, tha Murrizi. Megjithatë kjo nuk përbën problem, sepse sipas përllogaritjeve të bëra edhe nga maxhoranca, 84 vota për ndryshimet në kod janë në Parlament.

PAKTI

Duke marrë në konsideratë dhe duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm për forcimin e demokracisë dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë:

1. Krijimin e premisave reale për zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standardeve më të mira të pranuara ndërkombëtarisht, ku zgjedhësit kanë mundësi të japin votën e tyre për kandidatët e parapëlqyer të subjektit politik;

2. Miratimin e Reformës Zgjedhore dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve te zgjedhjet;

3. Përmbushjen e kushtit të vendosur në takimin e Këshillit Europian të datës 25 mars 2020 për miratimin e Reformës Zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimin e OSBE/ODHIRit përpara Konferencës së Parë Ndërqeveritare në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë me BE-në, prioriteti më madhor për ardhmërinë e vendit;

4. Dialogun gjithëpërfshirës ndërpartiak në proceset demokratike të vendit, ku Reforma Zgjedhore është prioritare, Me mirëkuptim dhe vullnet të plotë njëkohësisht, angazhohen të:

1. Mbështesin me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 23 korrik 2020, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 ‘Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar’”, të miratuar me votat e shumicës parlamentare në Komisionin e Ligjeve, në respektim të Marrëveshjes datë 05.06.2020 ndërmjet Partisë Socialiste, opozitës jashtëparlamentare të përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, si dhe deputetes Rudina Hajdari.

2. Mbështesin me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 30 korrik 2020, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 8417, datë 21.10.1988 ‘Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar’”, miratuar me votat unanime të anëtarëve të Këshilli të Legjislacionit dhe Komisionit të Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut të Kuvendit në mbledhjen e përbashkët datë 14 korrik 2020;

3. Vijojnë dialogun midis grupeve parlamentare, si dhe të nxisin e mbështesin dialogun midis tyre dhe opozitës jashtëparlamentare, në një proces gjithëpërfshirës me synim arritjen e një dakordësie sa më të gjerë për reflektimin në Kodin Zgjedhor të amendamenteve kushtetuese që përmenden në pikën 2 më sipër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN