MENU
klinika

Përfundon mbledhja e Këshillit Politik

S’mund të ketë 100% dakordësi/ Rama: I qëndrojmë 5-Qershorit!

20.07.2020 - 15:58

Kryeministri Edi Rama foli për media në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik, duke thënë se ishte një diskutim i gjatë, por interesant.

Kryeministri tha se është gati për të vijuar diskutimet pa ndërprerje që nga dita e nesërme, por ishte opozita jashtëparlamentare, e cila kërkoi më shumë kohë.

Teksa theksoi se ky proces duhet mbyllur me mbylljen e këtij sesioni parlamentar, Rama u shpreh se të gjitha palët nuk mund të jenë dakord 100%, por së paku të kenë pjesën e vet.

“Diskutimi ishte i gjatë, interesant. Ne nuk është se thamë ndonjë gjë të re, që dihen. Kemi qëndrim shumë të qartë dhe ka një realitet politik, i cili imponon një qasje që për ne është e diktuar si forca më e madhe, por që kemi dhe detyrimin të krijojmë një proces dhe të arrijmë në një rezultat, ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord me të gjitha, së paku secila nga palët të ketë pjesën e vet. Në këtë aspekt, mendoj se është e rëndësishme të diskutojmë, të vazhdojmë të diskutojmë. Ne ishim gati të vazhdojmë diskutimin pa ndërprerje, që nesër, përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare kërkuan kohë. Ne kemi një kalendar, i cili ka një kufi të përcaktuar, që është fundi i këtij sesioni parlamentare, pra fundi i muajit korrik”, tha Rama.

Rama ka konfirmuar se PS i qëndron marrëveshjes së 5 qershorit por paralajmëron se për të ka një kufi që është 30 korriku.

Rama tha se pavarësisht se PS është pala më e madhe opozita parlamentare me atë jashtëparlamentare i kërkojnë të gjitha dhe nuk i hapin rrugë njëra- tjetrës.

Më tej ai shtoi se diskutimi ishte pozitiv dhe ai do të përpiqet të bindë opozitën parlamentare të jetë më fleksible,

“Kemi një kalendar i cili ka kufi të përcaktuar dhe është fundi i sesionit parlamentar, pra fundi i 30 korrikut. Besoj që diskutimi ishte pozitiv.

Koha ka kufizimin e vet dhe të vetdijshëm pasi hapja e listave tani më për ne nuk është një variant por angazhim karshi njerëzve dhe ne si partia më e madhe dëshirojmë që të t’i përfshijmë qytetarët në grupin e ardhshëm parlamentar përzgjedhjen e tij. Duam të mbrojmë arritjen e përbashkët, rritjes së përfaqësimit të grave në parlament dhe nga ana tjetër sigurisht që duhet të çojmë deri në fund dhe angazhimin për 5 qershorin. Është process me dy korsi, ku sidoqoftë stacioni është 30 korriku.

Shumë më e rëndësishme përmbajtja e lëndës se sa i delegacioneve. Zgjedhja e opozitës jashtëparlamentare që të vijë e përfaqësuar me këdo, mjafton të ketë mandat përfaqësimi. S’ka problem për mua, është njësoj. S’bën dallim nëse është Bardhi apo Basha.

Ky është dhe problemi im i madh se ne jemi më të mëdhenjtë që janë dy palë më të vogla që duan të gjitha dhe nuk i hapin rrugë njëra tjetrës. Do mundohemi të bindim opozitën parlamentare të jetë më fleksible. Mbase do arrijmë të kemi një mbështetje të mjaftueshme sepse opozita parlamentare nuk është vetëm një parti politike. Kanë një qëllim të përbashkët, shumica dërrmuese e tyre për ndryshimet në Kushtetutë për të cilat ne biem dakord.”- tha Rama.