MENU
klinika

Majorca & Ibiza mbeten bosh!

Spanja po i pret krahapur turistët, por…

24.07.2020 - 12:43

       Pikat e nxehta turistike të Spanjës, mbeten të shkreta pasi turistët nuk po afrohen, pavarësisht thirrjeve të autoriteteve vendase drejtuar, sidomos vizitorëve nga Britania e Madhe, të cilëve, u thuhet se i presin “krahapur”.

Spanja, në fakt, ishte vendi i parë që i hapi dyert për turistët britanikë, muajin e kaluar, kur ndaloi të gjitha kufizimet e karantinës. Por, ndonëse janë të hapura fluturimet drejt destinacioneve të shumëpëlqyera si Majorca dhe Ibiza, anglezët po ngurrojnë të rikthehen.

Pamjet e resorteve të famshme, që vijnë nga mediet britanike, tregojnë plazhe dhe rrugë të boshatisura, grupe të vogla njerëzish dhe restorantet e kafenetë, që nuk arrijnë të punojnë me kapacitet të plotë, ndërkohë që vitin e kaluar, nuk përballonin fluksin e njerëzve.

“Nuk e kam parë ndonjëherë Benidormin, kaq të shkretë. Këtu, zakonisht është kaos absolut! Rrugët gumëzhijnë nga të qeshurat dhe muzika buçet nga baret. Tani, s’gjen më lokale hapur” – thotë Stephen Feather, një turist britanik që e frekuenton rregullisht këtë zonë.

Linjat ajrore, përfshirë “Ryanair”, “EasyJet” dhe “Jet2” i kanë rifilluar fluturimet për në Spanjë, me shpresën e rifillimit të sezonit veror, ndërsa operatorët turistikë kanë bërë oferta për shtatë net, që shkojnë deri në 99 paundë. As këto, megjithatë, nuk kanë ndikuar shumë, për t’i bindur udhëtarët britanikë që të kthehen.

Shpresat më të mëdha, autoritetet vendase tani i kanë te turistët gjermanë, të cilët, kanë nisur të mbërrijnë më shumë atje. Spanja ishte një prej vendeve më të goditura nga koronavirusit në Evropë, me 307 mijë infektime dhe mbi 28.400 viktima, kur ka ende të paktën 80 mijë raste aktive.