Ritmi i rënies së të ardhurave të buxhetit të shtetit gjatë muajit qershor u reduktua me shpejtësi në krahasim me prillin dhe majin, duke reektuar rigjallërimin e aktivitetit ekonomik pas mbylljes së imponuar nga pandemia e koronavirusit të ri. Të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat e buxhetit të shtetit në qershor ishin 34.3 miliardë lekë, me një rritje 25% në krahasim me majin dhe me një rënie në masën 9% në krahasim me qershorin e vitit 2019. Ndonëse 9% është një rënie e konsiderueshme, ajo sërish është shumë më e ulët se sa ritmi i rënies së shënuar në prill (29%) dhe në maj (30%) dhe duket se ekonomia po kthehet në thuajse normalitet me shpejtësi.
Javën e kaluar, të dhënat e tregtisë së jashtme të publikuara nga Instituti i Statistikave treguan për një rimëkëmbje të shpejtë të importeve dhe eksporteve gjatë qershorit, ku importet ishin pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Rikthimi i importeve është ajo që duket se ndihmoi edhe të ardhurat buxhetore. Në Shqipëri, shteti grumbullon pjesën më të madhe të të ardhurave nga importet e mallrave, taksa që mbahen te trau i doganës.
Por në qershor edhe të ardhurat e sigurimeve shoqërore e shëndetësore shënuan një rritje vjetore prej 1% në krahasim me rënien 8-10% të muajve të pandemisë duke sugjeruar një rikthim të punësimit. Lajmi i keq duket se është fakti që pavarësisht krizës, shpenzimet e qeverisë po mbahen të larta pa ndonjë përpjekje të madhe për të kursyer qoftë edhe te fondi i shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes. Shpenzimet totale të buxhetit të shtetit në qershor ishin 10% më të larta se sa një vit më parë, ndërsa për të gjithë gjashtëmujorin shpenzimet publike janë rritur me 2%.
Për rrjedhojë, deciti buxhetor në gjysmën e parë të vitit ishte 38 miliardë lekë, (320 milionë euro). Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, të cilat ishin shënjestra e një prej ndryshimeve të buxhetit gjatë këtij viti me supozimin se për shkak se administrata publike qëndroi në shtëpi për tre muaj, nuk mund të konsumojë të njëjtën sasi nafte, gomash apo kancelarish si në kohë normale, në fakt qëndruan në të njëjtin nivel me vitin 2019 kur vendi nuk pati pandemi.