MENU
klinika

Flet mjeku Erion Dasho

Suedia, histori suksesi apo dështimi?

21.07.2020 - 17:36

SËRISH PËR SUEDINË

Kur të shkruhet, historia e COVID-19 sigurisht që do t’i rezervojë një kapitull edhe Suedisë.
Suedia pati përafrimin më origjinal lidhur me epideminë. U penalizua në vdekshmëri duke patur shumëfishin e vdekjeve të fqinjëve të tjerë nordikë. Por a fitoi Suedia diçka në përballje me COVID?

1. Përfitim në ekonomi nuk pati. Ekonomia e lidhur europiane dhe ndërkombëtare nuk i jep mundësi vendeve të veçuara të lulëzojnë, kur gjithë pjesa tjetër e botës është në reçesion.
2. Përfitim në shëndetin mendor dhe social padiskutim pati. OBSH i njeh tre dimensione shëndetit – fizik, mendor dhe social. Këto dy elementë nuk vlerësohen dot menjëherë (sikundër arrin të vlerësohet ekonomia). Për shëndetin mendor ka një indikator që mund të vlerësohet relativisht shpejt – ndryshimi i numrit të vetëvrasjeve. Duke parë se si do të reagojë ky tregues në raport me vendet e tjera, do të arrihet përfundimi në se përafrimi suedez ja ka dalë apo jo të ruajë shëndetin mendor dhe social të qytetarëve të vet. Anketa, vlerësime sociologjike, etj. sigurisht do të bëhen në vazhdimësi dhe do të plotësojnë edhe më tej kuadrin vlerësues.
3. Pasojat në shëndetin fizik në pamje të parë duken shkatërruese. Me mbi 5,600 vdekje për një popullsi prej 10 milionë banorësh Suedia është ndër vendet më të goditura në botë. POR! Shëndeti fizik nuk matet vetëm me vdekjet “NGA COVID”, duhen vlerësuar edhe vdekjet “ME COVID” (të cilat do të vlerësohen saktë vetëm kur të bëhen statistikat vjetore). Së dyti (dhe më e rëndësishmja), vdekshmëria është një tregues i rëndësishëm por jo i vetmi. Prej kohësh në shëndetin publik përllogariten indikatorë si DALY, QALY dhe PYLL (të më falin miqtë jo mjekë për terminologjinë të cilën nuk kam kohë ta shpjegoj tani). Unë besoj se, bazuar në këta tregues, Suedia do të qëndrojë më lart se pothuajse çdo vend tjetër gjatë periudhës së epidemisë. Në fund të fundit, DALY, QALY dhe PYLL të pacënuar nga epidemia janë tregues të një shoqërie që ka ruajtur kapitalin shoqëror dhe shëndetësor përgjatë epidemisë.

SUEDIA: HISTORI SUKSESE APO DËSHTIMI?!
ENDE NUK MUND T’A THEMI ME SIGURI. VETËM KOHA DO T’A PROVOJË!