Shqiptarët e ekipit Vejle në Danimarkë u bënë protagonistë në ngjitjen e futbollit të këtij vendi. Nëse një javë më parë spikati Muçolli me 3 gola, sot ishte radha e një kuqeziu tjetër, Ylber Ramadani.
Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka shënuar sot golin me vlerë tri pikësh që i siguroi matematikisht skuadrës së tij ngjitjen mes ekipeve më të mira në futbollin danez, pas një viti në kategorinë e dytë.
Në ndeshjen e sotme ndaj Nykobing, Ramadani la shenjë në fatin e duelit, kur në minutën e 57 lëshoi një gioditje të fortë nga jashtë zonës. Topi shkoi në duart e portierit, por ai nuk arriti ta kontrollonte sferën që i erdhi me forcë dhe e pa të përfundonte pas krahëve të tij.
Ky ishte goli i tretë i Ramadanit në këtë sezon, por me më shumë vlerë se të gjithë golat e tjerë. Ky gol i dhuroi tri pikët me suksesin 1-0 Vejles dhe bëri formalitet dy javët e mbetura të kampionatit, pasi skuadra tashmë mund të festojë e qetë kthimin në elitë. Pjesë e Vejles është edhe Arlind Ajeti, ish-mbrojtësi i Kombëtares shqiptare.