MENU
klinika

Shpresa për ekonominë

Tregtia e jashtme rimëkëmbet pas karantinës

19.07.2020 - 16:37

Volumi i tregtisë së jashtme tregoi shenja të qarta rimëkëmbjeje të shpejtë gjatë muajit qershor, muaji i parë i normalitetit pas mbylljes tremujore të Shqipërisë për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, duke dhënë shpresa për një rikuperim të shpejtë të ekonomisë në pjesën e mbetur të vitit. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se si importet ashtu edhe eksportet u rritën me forcë në krahasim me muajt e pandemisë në qershor ndërsa në krahasim me qershorin e vitit 2019, ndonëse vijon të ketë rënie, ajo është shumë më e vogël se sa rënia e muajve të krizës.

Parë në ndryshimet vjetore, eksportet e mallrave shënuan rënie në masën 25% në mars, 44% në prill dhe 22% në maj. Por në qershor, ndërsa vendi u rihap për biznes dhe pjesa më e madhe e kuzimeve të imponuara nga qeveria u hoq, rënia vjetore e eksporteve u reduktua në vetëm 9.7%.

Të dhënat statistikore sugjerojnë gjithashtu që eksporti kyç i veshjeve dhe këpucëve, i cili është shumë i rëndësishëm në Shqipëri nga pikëpamja sociale për shkak të numrit të lartë të të punësuarve në këtë sektor, tregoi shenja qëndrueshmërie. Qeveria shqiptare nuk i mbylli fabrikat gjatë pandemisë, gjë që bëri që shumë fabrika fason në të gjithë vendin të bëheshin vatra të konsiderueshme të përhapjes së pandemisë. Në qershor, ndërsa numri i të infektuarve me COVID-19 u rrit me 2.2 herë, eksportet e veshjeve dhe këpucëve u rritën me 13%. Kruja, qyteti ku vatra e parë e identikuar ishte në një fasoneri, ka numëruar deri më sot së paku katër persona të vdekur nga kjo sëmundje.

Muaji qershor duket se shënoi përmirësime edhe sa i përket nivelit të importeve. Ndonëse në terma vjetor importet vijojnë të jenë më të ulëta, disa grupe që lidhen me konsumin e gjerë të popullatës kanë shënuar përmirësime. Importet e ushqimeve ishin më të larta se sa një vit më parë dhe po kështu edhe makineritë e pajisjet. Tekstilet dhe këpucët vijojnë të jenë më të ulëta se sa një vit më parë, gjë që reekton mungesën e shitjeve të veshjeve në vend.