MENU
klinika

Ja cili është "asi nën mëngë"

Trumpi në krizë – Por zgjedhjet ende nuk kanë përfunduar

03.07.2020 - 18:16

Numri i infeksioneve me Corona në SHBA ka arritur një nivel të ri të lartë. Pakënaqësia ndaj presidentit po rritet, thotë Oliver Sallet.

Nga ta fillojmë? Nuk ka mbetur shumë nga shkëlqimi i ish-kombit kryesor të botës së lirë: liria e shtypit është goditur. Demokracia ndodhet nën presion. Një pandemi që mund të menaxhohej më mirë nëse thjesht do të donin ta bënin. Për më tepër, pati trazira mbarëkombëtare pas vdekjes së një të ziu, për shkak të dhunës policore – dhe një president që nxit urrejtjen dhe provokon, në vend që të pajtojë dhe bashkojë.

Vlerat e Donald Trump-it në sondazhe janë përtokë, dhe këtë ai e meriton. Sepse përgjegjësinë për këtë e mban ai vetë. Është hera e parë në presidencën e Trumpit që ai është dëmtuar me të vërtetë për shkak të politikave të tij të paparashikueshme. E megjithatë: Donald Trump është mjeshtër për të mbijetuar politikisht, fati i zgjedhjeve në asnjë mënyrë nuk është vendosur.

Joe Biden-i nuk është Hillary Clinton-i

Shumica e demoskopëve aktualisht mendojnë se mbështetja për të aktualisht është te 40 përqind. Ky president jo popullor që nga fillimi i mandatit të tij tani është edhe më jo popullor se kurrë. Por duhet të kemi kujdes: edhe në krahasim me Hillary Clintonin, Trumpi gjithmonë ndodhej pas. Në fund, mjaftoi një teori konspirative rreth me postën elektronike të Klintonit për ta kthyer fletën.

E qartë është: viti 2016 nuk është viti 2020 dhe kundërshtari i Donald Trump-it këtë herë nuk është Hillary Clinton, por Joe Biden. Dhe për masën e gjerë të votuesve, ai konsiderohet më i pranueshëm sesa ish-Senatorja nga New York-u, të cilën shumë e urrenin. Por edhe Biden-i ka probleme të mëdha në bagazhin e tij: kundërshtari i tij më i madh është ai vetë.

Në fushatën e tanishme elektorale, mbështetjen ai e siguroi para së gjithash duke mos bërë asgjë – sipas parimit: unë nuk po e shqetësoj Donald Trumpin në çmontimin e vetes.

Për javë të tëra, nuk u pa pothuajse asgjë nga Joe Biden, përveç disa mesazheve me video nga bodrumi i shtëpisë së tij në shtetin amerikan të Delaware.

A e përballon dot Bideni këtë detyrë?

USA Präsidentschaftskandidat der Demokraten Joe Biden (Reuters/J. Ernst)

Por sa më shumë afrohet dita e zgjedhjeve, aq më i madh bëhet presioni mbi 78-vjeçarin që të dalë më në fund në dritë nga bodrumi. Pandemia ishte justifikim i mirë për t’u fshehur, por ky stil pasiv i fushatës nuk do të mjaftojë më në javët e ardhshme. Dhe me aktivitetet e fushatës zgjedhore, do të rikthehen edhe gabimet për të ardhur rëndë të Joe Biden-it, të cilat shkaktojnë rregullisht një ndjenjë midis keqardhjes dhe turpit.

Cili ishte emri i presidentit nën të cilin Joe Biden ishte zëvendëspresident? A janë shumica e zgjedhjeve paraprake në SHBA të enjten e madhe apo të martën? Kur Joe Bidenit i merren këmbët për pyetje si këto, ai në rastin më të mirë duket nervoz, në rastin më të keq i moshuar.

Asi në mëngë i Trumpit: duelet në TV

Dhe pastaj janë edhe gratë, që e akuzojnë për ngacmime – në një rast edhe për shtrëngim seksual. A është ai me të vërtetë kandidati më i mirë që mund të ofrojnë demokratët? A e ka ai me të vërtetë epërsinë morale për t’i treguar vendin Donald Trumpit?

Makina e fushatës së Trumpit tashmë po ngrohet me reklamat në TV dhe në mediat sociale në shtetet e rëndësishme. Dhe Trumpi në post do të jetë veçanërisht në pritje të një lloji takimesh: të dueleve televizive, në të cilat ai arriti ta vinte në telashe edhe elokuenten Hillary Clinton katër vjet më parë. Është e vështirë të përfytyrohet se si do të dalë Joe Biden  kundër Donald Trump në këtë skenë.

Donald Trump mund të ndodhet në tërheqje. Por zgjedhjet ai nuk  i ka humbur aspak.

Oliver Sallet, DW