Në Shqipëri vazhdojnë të thellohen pasojat tragjike të epidemisë Covid-19.
Dy zonja nga Tirana, njëra 67 vjeçare dhe tjetra 73 vjeçare, humbën jetën në Spitalin Infektiv në 24 orët e fundit. Bashkë me to shkoi në 74 numri i të vdekurve nga Covid-19, qysh nga fillimi i muajit mars.
8 ditët e fundit, në kohën mes dy fundjavave, kanë vdekur 19 persona prej koronavirusit, pra 2-3 perona në ditë; mes tyre ishte edhe një mjek i njohur. Në Spitalin Infektiv mbahen të shtruar 88 pacientë, 9 nga të cilët janë në terapi intensive.
Këtë fundjavë u zbuluan edhe 67 qytetarë të tjerë të infektuar me Covid-19, me të cilët numri i përgjithshëm i të infektuarve aktivë shkoi në mbi një mijë e 100 persona. Ata gjenden shumica në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Elbasan, Korçë dhe Kurbin. Shpërndarja e rasteve përfshin edhe Krujën, Kukësin, Fierin, Lezhën, Lushnjen dhe Kamzën.
Nga fillimi i epidemisë Shqipëria ka shënuar mbi 2 mijë 800 raste me Covid, të cilat i ka zbuluar me mbi 28 mijë testime gjithsej. Mjekët po u bëjnë thirrje banorëve që të përdorin maska dhe masa të tjera mbrojtëse, por shumica e njerëzve po tregohen të pakujdesshëm.
Një pjesë e madhe i janë kthyer punës pas 3 muajve karantinë, ndërsa pjesa tjetër kanë nisur pushimet vjetore dhe udhëtimet turistike në këtë stinë të nxehtë. Vdekjet dhe infektimet e javës së fundit vërtetuan se temperaturat e larta të motit nuk pakësuan përhapjen e koronavirusit./ Zëri i Amerikës