Vazhdon korrespodenca mes maxhorancës dhe opozitës së Bashkuar që nuk po gjejnë dakordësi as për mbledhjen e Këshillit Politik.
Pas e-mail-it të Damian Gjiknurit që kërkonte konfirmimin e Opozitës së Bashkuar për të marrë pjesë në mbledhjen e pasdites së sotme të Këshillit Politik, dy përfaqësuesit Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili deklarojnë se “gjykojmë që Këshilli Politik duhet të vijojë punë pa humbur asnjë ditë kohë” dhe “rikonfirmojmë gatishmërinë tonë për të vijuar punën në Këshillin Politik, të enjten ora 17:00 ose të premten ora 11:00”.
Po askund nuk flitet për listat e hapura apo heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Pikat mbeten të njëjtat e përgjigjes së parë.
Përshëndetje,
Edhe ne gjykojmë që Këshilli Politik duhet të vijojë punë pa humbur asnjë ditë kohë, sepse kemi humbur shumë kohë për miratimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së 5 Qershorit. Në këtë kuadër, rikonfirmojmë gatishmërinë tonë për të vijuar punën në Këshillin Politik, të enjten ora 17:00 ose të premten ora 11:00, sipas zgjedhjes tuaj.
Gjithashtu, ju konfirmojmë se bashkërisht kemi rënë dakord në Marrëveshjen e 5 Qershorit, që duhet të vijojmë punën në Këshillin Politik për zbatimin e pikave 11 dhe 12 të saj, ku specifikohet se: “11. Masat shtesë: Këshilli Politik do të vazhdojë të diskutojë në mirëbesim dhe të përpiqet të arrijë zgjidhje të përbashkëta ku dhe kur është e mundur të adresohen rekomandimet kryesore të ODIHR lidhur me: (1) blerjen e votës; (2) presionin ndaj votuesve dhe administratës publike; (3) keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike; (4) marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale; (5) lirinë dhe sekretin e votës; dhe (6) manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore. Në rast të mosprogresit këto propozime NUK do të ndërhyjnë apo vonojnë një marrëveshje dhe kalimin në parlament të masave të dakordësuara në pikat 1-9. 12. Hyrja në fuqi: Pikat 1, 2, 3, 7, 9, 9, 10 dhe 11 më sipër dhe dy shënimet poshtë do të hyjnë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme (parlamentare dhe vendore). Pikat 4, 5 dhe 6 më sipër do të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme zgjedhore dhe parlamentare.”.
Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin tuaj për përfshirjen e këtyre çështjeve në Rendin e Ditës së mbledhjes së rradhës.
Mbetemi në pritje të konfirmimin nga ana juaj!
Oerd Bylykbashi
Petrit Vasili