Nga Roland Qafoku
Nuk synoj të jap leksion për gazetarët e rinj. Aq më tepër që unë vetë disa herë kam gabuar në drejtim të etikës kur isha vetë si ata. I përçmoj ata që thonë se ne të brezit tonë bënim namin dhe këta të rinjtë e sotëm nuk dinë shumë dhe nuk bëjnë gazetari profesionale.
Vërtet gazetarët e këtij brezi kanë më pak përvojë, por janë shumë më të avancuar dhe më të sofistikuar se brezi ynë. Ne nuk kishim modele dhe modelin e krijonim vetë, se ashtu mendonim.
Për Kod Etike ne kishim etikën dhe edukatën personale. Sigurisht që unë nuk mund të justifikohem, se ashtu ishte atëherë, se ishte luks të diskutohej për etikën, apo se ishim aq të lirë, sa mund të bënim ç’të donim me lirinë. Por ama, nuk e merrni me mend se sa jam trishtuar dhe sa e kam gjykuar veten kur kam kuptuar se kam gabuar.
Dhe ju siguroj që nuk e kam bërë më atë gabim. Jam përpjekur dhe kam synuar të përmirësohem edhe nga reagimet e lexuesve, ndjekësve dhe shikuesve. E besoj se kam ecur në këtë rrugë që nuk ma ka shtruar kush. Pikërisht për shkak të përvojës që kam grumbulluar, dua të ndaj me kolegët disa mendime se ku kanë gabuar gazetarët dhe reporterët e kronikës së zezë në raportimet për ngjarjen e Kombinatit, më 2 korrik, në të cilën dy gra u vetëflijuan dhe një tjetër është ende në gjendje jo të mirë për jetën.
Këto mendime madje i kam diskutuar shpesh edhe me gazetarët e grupit mediatik “Fjala” që unë drejtoj dhe shpesh kemi debatuar për mënyrën se si duhet ta trajtonim këtë çështje. Lajmi nisi në fillim si një ngjarje e zakonshme kronike: Gjenden pa jetë dy gra. Për një pjesë të publikut ky krim është i vërtetë.
Për të tjerë ai është i frikshëm. Më pas detajet e lajmit konfirmuan se kishim të bënim me një vetëvrasje. Më pas akoma një vetëflijim. A e imagjinoni dot kur 3 milionë shqiptarë janë ngjitur si tutkall tek ekrani i televizorit apo në ekranin e celularit për të lexuar portalet për të rejat e fundit mbi këtë ngjarje!?
Për afro 25 vjet si gazetar ende shikoj që vijon të diskutohet nëse duhet të jepen apo jo lajme të tilla horror dhe aq më keq, vetëvrasjet. Shpesh jemi ndarë në dy grupe. Një pjesë mbron teorinë se lajme të tilla nxisin dhe shtojnë vetëvrasjen. Unë kam qenë partizan i grupit të dytë.
Shqipëria dhe historia mbi 100-vjeçare e saj e medias, më shumë i ka fshehur lajmet se sa ka ndier pasoja nga lajmet horror, por ama të sakta. Megjithatë, kjo tezë ka nisur të zbehet tek unë. Shkak u bë kur një koleg belg më tregoi në Bruksel se lajmet me vetëvrasje atje nuk raportohen fare, për shkak të ndikimit që kishte raportimi i tyre.
Dhe së dyti, kur një studim në Tiranë e konfirmonte se në vitin 2003 kishin ndodhur 300 vetëvrasje, mendova se këtu ka diçka që nuk shkon mes shoqërisë dhe medias. Kështu që mendoj se këtu nis gabimi i parë i medias sonë. A duhet t’i raportojmë lajmet e vetëvrasjeve?
Unë kam bërë tërheqjen time dhe mendoj se edhe kolegët e tjerë duhet ta kenë këtë tendencë. Shqiptarët nuk janë më as ata të 30 viteve më parë, madje as ata të 10 viteve më parë. Lajme të tilla që për ne dukeshin se ndodhnin vetëm në Skandinavi, sot na ndodhin në mes të Tiranës. Prandaj duhet të ndryshojmë qasje. Ka ardhur koha.
Gabimi i dytë nisi me sasinë dhe shpërndarjen e raportimeve. Portalet, televizionet dhe gazetat papritur morën flakë. Të gjithë bllokuan çdo raportim tjetër dhe lajm i parë ishte ngjarja e Kombinatit. Nga mëngjesi në mesnatë të gjitha emisionet konkurronin me ngjarjen e Kombinatit.
Ngjarja e Kombinatit në leximin e gazetave, ngjarja e Kombinatit në emisionin e mëngjesit, ngjarja e Kombinatit në edicionet informative, ngjarja e Kombinatit me titra dhe dita mbyllej me ngjarjen e Kombinatit në emisonin politik në prime time. Pa dyshim që ky është inflacion i pastër i informacionit.
Është për të ardhur keq për ata drejtues të mediave dhe drejtues programacionesh që nuk arrijnë ta kuptojnë se kjo tejngopje për një ngjarje makabre nuk është thjesht një obezitet informativ, por është një mënyrë tejet e keqe se si të ndikosh për keq në një shoqëri.
Gabimi i tretë lidhet me mënyrën emocionale se si u raportua ngjarja. Në Kodin e Etikës shkruhet: Media duhet të reagojë me vetëpërmbatjtje në raportimin e krimeve. A ndodhi kjo vetëpërmbajtje me ngjarjen e Kombinatit? Sigurisht që nuk ndodhi.
Çdo gazetar, çdo reporter, shefat dhe drejtuesit e quajtën lajm të parë dhe që nxorën jashtë loje lajme që cilësohen se nuk tërheqin. Kodi Etik vijon me sqarimin se shkelja e termave të këtij kodi mund të përligjet vetëm kur mund të tregohet qartë që kjo është në shërbim të interesit publik. …Megjithatë interesi publik nuk nuk justifikon sensacionalizimin. Mendoj dhe besoj se drejtuesit e televizioneve, edhe sikur të mbështeteshin në këtë, pikë do të ishin më të përmbajtur.
Interesi për publikun shqiptar i bombarduar me lajme horror kërkon më pak informacione të këtij lloji dhe më shumë lajme të mira. Sigurisht që unë nuk jam të përmbysnim rregullin the bad news is good news. Por rasti shqiptar me kaq shumë bad news është vërtet një përjashtim.
Gabimi i katërt lidhet me faktin se asnjë gazetar nuk investigoi në mënyrë të thelluar dhe të plotë se kush i inspiroi tri gratë e kësaj familjeje që çoi deri në këtë makabritet. Ndoshta janë duke u përgatitur dhe duke punuar për këtë, por për dy javë nuk kemi parë asnjë investigim të plotë, të thelluar, të qartë dhe që të nxirren konkluzione.
Gjithçka është e fragmentizuar, jepen detaje të rëndësishme, por edhe detaje pa asnjë vlerë. Herë transmetohen në kronika e herë nëpër emisione. Herë në print në ato dy tri gazeta serioze që kanë mbetur në treg dhe herë në portale.
Por ama në asnjë në media nuk kemi parë një investigim gjeneral që shkon përtej vetëflijimit të dy grave. Të gjithë rendën pas të dhënave së rastësishme dhe asnjë gazetar nuk ka rendur për të zbardhur se kush i indoktrinoi këto gra. Nga kush u inspiruan, kush ndikoi tek ato e të tjera pyetje të këtij lloji.
Gabimi i pestë lidhet me respektin për të vdekurit. A ndodhi kjo? Në Kodin e Etikës shkruhet: Gazetarët duhet të respektojnë të drejtën e individëve për privatësi, aq më tepër kur ky individ nuk jeton. Vetëm mbrojtja e interesit të shoqërisë mund t’i justifikojë hetimet gazetareske që ndërhyjnë në jetën private të personit. A është ky rasti që mbrohet interesi i shoqërisë? Televizioni mund t’ua shtojë frikën njerëzve ndaj krimit, edhe kur statistikisht një gjë e tillë mund të mos jetë e vërtetë.
Gabimi i gjashtë lidhet me garën personale dhe jo profesionale mes gazetarëve të kronikës së zezë. Duhet të informojmë që t’i japim publikut detaje të rëndësishme të ngjarjeve, por në të njëjtën kohë duhet të hedhim dritë mbi këto çështje. A u hodh dritë? Gazetarja e “Top Channel”, Anila Hoxha, edhe këtë herë tregoi një diferencë me një pjesë të gazetarëve të kronikës së zezë.
Tepër serioze në atë që raportoi, ajo lexoi një pjesë të dëshmisë në raportin që kishte siguruar në polici. Por disa kolegë të saj ishin për të qarë hallin, kur raportonin pa ndonjë burim të besueshëm dhe shpesh nuk u jepnin përgjigje pyetjeve përse duhet ta besojmë këtë. Burimet nuk ishin dy apo triplanëshe dhe detajet që jepeshin nuk kishin rëndësi.
Gabimi i shtatë lidhej me kulturën fetare. Në fakt, ky ishte gabim luksi në raport me të tjerët. Por ne si media vijojmë të vuajmë mungesën e kulturës fetare, rrjedhimisht të gabojmë si në trajtim, por edhe në koncepte.
Sigurisht që për këtë nuk është e thënë të jesh praktikant i një feje, por së paku të kesh kulturën minimale për disa njohuri bazë. Aq e dukshme ishte kjo, saqë një reporter arriti të thotë se Dëshmitarët e Jehovait ishin fe. Një tjetër i ngatërronte ata me Kishën Ungjillore dhe kjo solli një çoroditje në publik.
Gabimi i tetë lidhej me numrin e madh të detajeve të parëndësishme. A duhen dhënë kaq shumë detaje? Mendoj se është relative. Njëra anë ka vlerë se sqarohet situata, nga ana tjetër, dhënia e tyre për një hetues dëmton hetimin dhe për një që ndikohet nga lajmet dëmton psikikën. Ky gabim lidhej me mënyrën aspak të kujdesshme të gazetarëve që raportonin ngjarjen.
Në librin “Udhëzues për gazetarët të BBC”, publikuar në vitin 1996, dhe sjellë në shqipe nga Instituti Shqiptar i Medias këshillohet që në raste të tilla kërkon marrjen e një vendimi të kujdesshëm. “Gabo më shumë duke treguar kujdes të veçantë, kur bëhet fjalë për çështjen e anonimatit, por mos shtyp në mënyrë të panevojshme misionin e gazetarit të vërtetë”(Udhëzues për gazetarët, f. 210).
Gabimi i nëntë lidhet me trajtimin e atyre që mund të jenë të sëmurë mendorë. A kemi të bëjmë me të sëmurë me probleme mendore dhe si duhet të trajtohen? Këtu media shqiptare pothuajse del jashtë kontrollit. Nuk tregohet kujdes dhe nuk bëhet fjalë fare për etikë.
Ashtu si edhe në shumë raste të mëparshme, edhe rasti i ngjarjes në Kombinat nuk bëri përjashtim. Në momentet kur mjekët japin mendim se kemi të bëjmë më simptoma të sëmundjeve mendore, gazetari në vend të ndryshojë mënyrën e trajtimit vijon të raportojë sikur personat që përmenden të jenë të zakonshëm.
Gabimi i dhjetë lidhej me mënyrën se si gazetarët replikonin në studio gjatë emisioneve. Debati kishte tendencën për të treguar se kush dinte më shumë se sa për të dhënë dhe thënë atë që duhej. Edhe për këtë çështje sherri ishte kulmi i profesionalizmit, me justifikimin se rrit audiencën.
Nuk arrihej të kuptohej se ku ishte gazetaria dhe ku ishte muhabeti në kafen e fshatit? Ka një rendje konkurrence se cili është ai që ka më shumë informacion, rrjedhimisht stari i kronikës së zezë. Këta lloj e nisin ligjëratën me frazën: “Sipas informacioneve të mia…” dhe vijojnë me të dhëna që të lënë më sy hapur, jo për faktin që thonë, por për pavërtetësinë e këtij fakti.
Dhe një pjesë e moderatorëve nuk u drejtojnë pyetjet çfarë, kush, kur, ku, përse, por kalojnë në pyetjen e radhës që ua kanë shkruar në skaletë. Ej, kolegë, kjo nuk është gazetari! Duke evidentuar 10 gabime nuk pretendoj të kem dhënë mend për ata që punojnë, sidomos ata gazetarë të terrenit, por disa mendime që do të gëzohesha shumë, nëse do t’i vlenin dikujt. Edhe unë gazetar jam.