MENU
klinika

Pushtohet Narta dhe Karavastaja

Video: Flamingot dhurojnë spektakël të rrallë në Fier

19.07.2020 - 16:38

      Kolonitë me flamingo janë parë në bregdetin e Pishporos në Fier, duke dhuruar spektakël për vizitorët e rrallë që arrijnë të shkojnë pranë lagunave. Drejtori i parkut Divjakë-Karavasta, tha se këtë vit është shtuar numri i zogjve shtegtarë, për shkak të qetësisë dhe ushqimit të bollshëm. Sipas censusit të fundit, në vendin tonë vijnë rreth 3 mijë flamingo, por gjithashtu kemi edhe shpendë të tjerë të egër që janë të shumtë në numër.

Spektakli që dhurojnë flamingot në qiell të hapur, mund të shihet me sy të lirë pasi ke përshkruar një rrugë relativisht të gjatë për në bregdetin e Pishporos në Fier. Këta zogj të mrekullueshëm, shihen gjithnjë e më shumë në këtë zonë. Ata qëndrojnë disa orë në gjol, ndërsa në mbrëmje largohen në drejtim të dy lagunave, Karavastasë dhe Nartës.

Drejtori Zonave te Mbrojtura në Fier, Ardian Koçi, për Report Tv, tregoi se numri i flamingove është shtuar, këtë vit. Ai tha, se flamingot janë shpendë ujorë migratorë dhe nuk kanë arritur ende të krijojnë foletë në vendin tonë.

“Nga viti në vit, numri rritet në 2-3 mijë, varet nga faktorë të tjerë, si qetësia dhe ushqimi. Kjo për flamingot në parkun tonë, por edhe në zonat me koloni të tjera, në Francë dhe Itali. Nuk kemi tentativa për folezim në Nartë, për shkaqe të tjera. Tashmë, folezimi i tyre në Itali, arrin deri në Veneto” – tha Koçi.

Në parkun Divjakë – Karavasta, por edhe në zona të tjera, si Godulla dhe Pishporo shihen gjithnjë e më shumë koloni me flamingo.

Përpos tyre, në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta shihen edhe shpendë të tjerë ujorë. Koçi na thotë se numërohen 42 mijë individë të specieve të ndryshme. Gjatë rrëfimit të tij për këta shpendë në mrekullueshëm, Koçi tha se shumica janë migratorë, ndërsa pelikani kaçurrel autokton në Shqipëri është shtuar shumë këtë vit.

Parku kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga vendet që mund të vizitoni gjatë këtij sezoni, ku detit dhe aromës së pishave u është shtuar edhe fluturimi i flamingove dhe pelikanëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


MedWet: Udhëtoni brenda vetë jetës

Laguna e Karavastasë