Në këtë kohë pandemie edhe sakrificat e sportistëve janë të mëdha. Një të tillë bëri edhe ylli i Los Angeles Lakers, Alex Caruso. Më 18 korrik, në Austin ka shkuar në altar motra e tij Megan, dy vjet më e madhe se basketbollisti.
Për pasojë, lojtari i pati kërkuar klubit nëse ekziston mundësia që ai të largohet nga Orlando për të qenë në ceremoninë e dasmës. Klubi i la dorë të lirë lojtarit të veprojë, duke ofruar disa mundësi. Gjithsesi, lojtari mori një vendim surprizë, të mos shkojë në dasëm, duke sakrifikuar për Lakers.
Caruso mori këtë vendim duke ditur se pas rikthimit në Orlando, ku do të luhen ndeshjet, do të qëndrojë 10-14 ditë në izolim, si pasojë e rregullave të aprovuara nga NBA.
Mësohet se Caruso ka kërkuar edhe mendimin e LeBron James e Anthony Davis, që e mbështetën në zgjedhjen e bërë. Ata thanë se ai është një lojtar i rëndësishëm për klubin, sidomos tani që është dëmtuar Rajon Rondo.